Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Krasniqi shpreson në disiplinë për triumf ndaj Ukrainës

Përzgjedhësi i Kosovës U19, Ramiz Krasniqi, ka thënë për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës të mërkurën, se me përgjegjësi e me disiplinë, mund të arrihet suksesi ndaj Ukrainës së kësaj grupmoshe.

Kosova U19 ka arritur tashmë në Norrkoping të Suedisë, dhe ka zhvilluar stërvitjen e fundit të mërkurën para ndeshjes që i takon fazës “Main Round” të Grupit 3 për Evropianin e vitit të ardhshëm. Suedia është mikpritëse ndeshjeve të Grupit 3, ku bën pjesë edhe Qiproja.

Ndeshja Kosova U19 – Ukraina U19 luhet në stadiumin “NYA Parken” dhe nis në orën 13:00.

“Është pak brengosëse sepse nuk kemi gjetur të dhëna që tregojnë shumë për Ukrainën, por as ata nuk na njohin neve. Kemi një grup të mirë të futbollistëve që me një angazhim dhe disiplinë mund të arrijë rezultat pozitiv. Atë që kanë treguar deri më tash këta djem, me karakterin e tyre fitues, mund të nxjerrin rezultat pozitiv”, ka theksuar përzgjedhësi Krasniqi.