Basketbollisti i Trepçës, Drilon Hajrizi, beson se ekipi i tij do ta fitojë edhe duelin e dytë karshi Pejës në serinë gjysmëfinale të plejofit. Ndeshjen e parë, Trepça e fitoi të dielën e shkuar kur nisi seria gjysmëfinale me rezultatin 75:68 dhe është në epërsi me rezultatin e përgjithshëm 1:0. Skuadra që regjistron tri fitore do të kualifikohet në serinë finale të plejofit. Edhe ndeshja e dytë mes këtyre dy skuadrave zhvillohet në Mitrovicë, përpara se seria të zhvendoset në Pejë. Ky duel luhet të enjten prej orës 20:30 në palestrën “Minatori”, e cila Hajrizi pret të ketë një atmosferë të zjarrtë. Në ndeshjen e parë, palestra ishte e stërmbushur dhe përkrahja e tifozëve i ndihmoi Trepçës për ta mposhtur Pejën. Sipas Hajrizit, fitorja e dytë në gjysmëfinale do të ishte shumë e rëndësishme për Trepçën pasi do ta bënte edhe një hap më tej drejt finales.
“E kemi pasur komplet kontrollin e lojës në ndeshjen e parë dhe të njëjtën gjë do të përpiqemi ta bëjmë edhe në të dytën. Është e rëndësishme të jemi të përqendruar, të angazhohemi maksimalisht dhe ta fitojmë edhe këtë ndeshje t’iu afruar edhe më shumë finales. Sigurisht, që nuk do të jetë lehtë pasi Peja ka një ekip shumë cilësore dhe këtë e kemi parasysh. Por, me përkrahjen e tifozëve tanë dhe atmosferën e krijuar në palestër që besoj do të jetë e stërmbushur, jam optimist për fitore”, është shprehur Hajrizi për KOHËN.
Trepça, e cila fitoi Kupën e Kosovës këtë edicion, është në kërkim të titullit të parë të kampionit pas një dekade. Në fakt, Trepça e fitoi Kupën pas dhjetë vjetësh pritjeje. Edhe Peja nuk e ka fituar titullin prej vitit 2013, ndërsa këtë edicion arriti të triumfojë në Ligën Unike. Sezonin e shkuar, Peja doli nënkampione pasi u mposht nga Golden Eagle Ylli në serinë finale të plejofit. Përderisa Trepça po synon ta fitojë edhe ndeshjen e dytë në Mitrovicë ndaj Pejës, te skuadra pejane besojnë se mund ta barazojnë serinë në 1:1 përpara se të luajnë në palestrën “Karagaçi”. Kështu ka insistuar basketbollisti Daniel Lekndrejaj.
“Jemi përgatitur mirë sikurse për çdo ndeshje tjetër dhe synojmë të japim më të mirën nga vetja për të marrë një rezultat pozitiv para se seria gjysmëfinale të zhvendoset në Pejë. Sigurisht, synimi është ta fitojmë ndeshjen dhe i gjithë ekipi ka besim të madh. E kemi parasysh se Trepça ka një ekip të fortë, gjë që e ka dështuar këtë edicion, e sidomos kur luan para tifozëve të saj. Mirëpo ne do të dalim në parket dhe nuk do të dorëzohemi deri në fund”, është shprehur Lekndreaj.
Skuadra e Trepçës është kualifikuar direkt në gjysmëfinale të plejofit, pasi stinorin e rregullt e përfundoi në pozitën e dytë në tabelë pas Golden Eagle Yllit. Peja e arriti gjysmëfinalen pasi arriti ta eliminojë skuadrën e Bashkimit në serinë çerekfinale me rezultatin e përgjithshëm 2:0. Në gjysmëfinalen tjetër po përballen Ylli dhe Sigal Prishtina. Skuadra kampione e këtij edicioni shpallet pas tri fitoreve në serinë finale, e paraparë të zhvillohet me pesë ndeshje. Golden Eagle Ylli është kampion në fuqi i Superligës.