Sport

Trepça synon ta gjunjëzojë Pejën në “Minatori”

Drilon Hajrizi nuk është aspak i befasuar nga starti i mirë i Trepçës në Superligën e Kosovës në basketboll këtë edicion. Pas tri xhirove, Trepça ka po aq fitore dhe synon triumfin në ndeshjen e katërt rresht, në të cilën do të përballet me Pejën. Sikurse Trepça, edhe Peja ka tri fitore dhe janë skuadrat e vetme që nuk dinë për humbje deri më tani.

E humbjen e parë Pejës këtë sezon po synon t’ia shkaktojë Trepça. Në këtë beson edhe Hajrizi, i cili insiston se Trepça është favorite përballë Trepçës, në ndeshjen që do të luhet të enjten prej orës 19:00, në palestrën “Minatori”, në Mitrovicë. Në fakt, kjo ndeshje do ta hapë xhiron e katërt dhe është e vetmja që luhet të enjten, pasi tri duelet e tjera do të zhvillohen në vikend – të shtunën dhe të dielën.

“Nuk jam aspak i befasuar me startin e mirë që kemi pasur këtë sezon, pasi kemi punuar shumë dhe kemi një ekip tejet cilësor. E këtë cilësi, pres ta dëshmojmë edhe kundër Pejës. Përfundimisht, jemi favoritë në këtë takim, pasi kemi ekip më të komponuar dhe gjithashtu luajmë në palestrën tonë. Do të japim gjithçka nga vetja për fitore, pasi duam të vazhdojmë të mbetemi të pamposhtur”, ka thënë Hajrizi të mërkurën për KOHËN. “Megjithatë, Peja ka një ekip të mirë me lojtarë cilësorë dhe me përvojë, që do të thotë se nuk do të jetë aspak ndeshje e lehtë. Ne jemi përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje, në të cilën do të futemi për fitore”.

Peja është e para në tabelë me gjashtë pikë të mbledhura sa i ka edhe Trepça, por që ka koshdallim më të mirë. Si ndeshje tejet të vështirë, duelin në Mitrovicë e ka vlerësuar edhe trajneri i Pejës, Shemsettin Bash. Bash ka thënë se Peja do të përpiqet për ta vazhduar serinë e fitoreve dhe të mbetet e pamposhtur edhe pas xhiros së katërt.

“Nuk do të jetë aspak një ndeshje e lehtë. Mirëpo, ne do të bëjmë të pamundurën për ta fituar ndeshjen, në mënyrë që të vazhdojmë serinë tonë që e kemi pasur deri më tani. Ekipi është gati dhe do të shohim”, është shprehur shkurt Bash.

Skuadra e Trepçës, këtë edicion i ka mposhtur në shtëpi kampionin në fuqi, Golden Eagle Yllin, si dhe fituesin e Superkupës së Kosovës për këtë edicion, Prizrenin-16. Ndërkohë, Peja ka triumfuar si vendase ndaj Bashkimit e Rahovecit, kurse në udhëtim e ka mposhtur skuadrën e Sigal Prishtinës.