Në fundjavë zhvillohen ndeshjet e katërta të serisë gjysmëfinale të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll. Të shtunën prej orës 19:30 në palestrën “1 Tetori” takohen Bora e Bashkimi, ndërsa të dielën prej orës 19:30 në “Karagaçi” përballen Peja e Trepça.
Bashkimi e Trepça janë duke udhëhequr 2:1 në këtë seri dhe me fitoret eventuale të radhës e sigurojnë finalen.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoDerisa gjysmëfinalja mes Borës e Bashkimit po zhvillohet qetë e pa probleme, tensionet janë rritur goxha shumë në gjysmëfinalen mes Pejës dhe Trepçës.
Tensionet dolën në pah edhe të premten, ndonëse nuk kishte ndeshje. Fillimisht Peja doli me komunikatë, duke e akuzuar Drilon Hajrizin, ndërsa më pas basketbollisti i Trepçës iu përgjigj ekipit pejan po me postim në rrjetet sociale.
Hajrizi të enjten mbrëma e udhëhoqi Trepçën drejt fitores 123:79 ndaj Pejës. Kjo ndeshje u zhvillua në “Minatorin” e stërmbushur me shikues. Hajrizi shkëlqeu me plot 26 pikë. Dhe në një moment basketbollisti mitrovicas, pasi shënoi pikë, është kthyer kah banka e Pejës dhe ka thënë diçka në drejtim të saj.
Peja e ka falënderuar kryesinë e Trepçës për pritjen “perfekte”, por ka akuzuar direkt Hajrizin për sharje.
“Lojtari me numër 12, që njëherë e një kohë veshi edhe fanellën e klubit tonë, ka shkelur deri në maksimum çdo rol të profesionalitetit me viktimizimet dhe fyerjet që njeriu i dëgjon vetëm në rrugë, drejtuar jo publikut por bankës dhe skuadrës së KB Peja. Te KB Peja, ndodhen lojtar të qytetit nga i cili Driloni vjen, bashkëlojtarë dhe kapiteni i tij te Kombëtarja e Kosovës”, shkruan në komunikatën e Pejës të publikuar të premten.
“Çfarë po na mëson Driloni me këto sjellje? Çfarë po na mëson ai me këto të shara? Në sport gjithmonë do jetë ekipi që fiton dhe ai që humb, por në sport rrallë ka kësi lojtar që nuk i kontrollojnë emocionet dhe ofrojnë shembuj katastrofal. Ishte pikërisht Driloni, ai që pas ndeshjes në Pejë ekzagjeroi situata duke nxitur publikun në Mitrovicë për urrejtje”, ka shkruar tutje Peja, që postimit ia ka bashkangjitur videon nga momenti i “shpërthimit” të Hajrizit.
Nuk ka vonuar përgjigja e Drilon Hajrizit. Ai ka publikuar dy video nga fyerjet në baza familjare që i janë bërë në ndeshjen e së dielës së kaluar në Pejë. Madje për fyerje ndaj tij, të bëra në kor nga shikuesit, është përdorur edhe mikrofoni zyrtar. Për këtë Peja ishte gjobitur nga FBK-ja.
Hajrizi ka mohuar që fyerjen t’ia ketë drejtuar klubit Peja. Ka thënë se bëhet fjalë vetëm për një person.
“Nuk kam sharë, nuk është në natyrën time! Është e vërtetë se e kam ofenduar në shenjë revolte njërin prej orkestruesve të sharjeve në kor ndaj meje në Pejë, por assesi lojtarët e aq më pak klubin”, ka shkruar Hajrizi.
Ai ka shkruar tutje se Peja i ka mbetur borxh 15 mijë euro.
“Kontributi im për KB Pejën është i madh. Atë e dinë tifozët e vjetër, ‘Shqiponjat’ e vërteta. Këta që janë vërsulur ndaj meje, duan që kështu të zhvendosin vëmendjen dhe të fshehin të palarat e tyre. Në vend se të merreni me këto marri, më ktheni borxhin prej 15 mijë eurove. Ja sharjet e orkestruara në kor ndaj meje. Paramendoni, ndaj njeriut që dha aq shumë për klubin e Pejës”, shkruan tutje në postimin e Hajrizit.
Tensione priten të dielën mbrëma në palestrën e qytetit në Pejë. Megjithatë shpresohet që situata të mos eskalojë.
Drejtuesit e Pejës kanë bërë thirrje për përkrahje korrekte të tifozëve. Te Peja presin t’i kenë tifozët në krah, me gjithë humbjen e thellë në ndeshjen e tretë gjysmëfinale.
Dy gjysmëfinalet e para ishin dukshëm më interesante. Fillimisht Trepça fitoi 86:78 ndaj Pejës në “Minatori”, por ndeshja ishte e hapur deri në aksionet e fundit. Më pas Peja fitoi 95:93 nga “Karagaçi”, në tjetër ndeshje të fortë e interesante.
Edhe ndeshja e katërt pritet të jetë e fortë e interesante. Por mbi të gjitha shpresohet që spektakli në parket mos të mbetet në hije të zhvillimeve josportive jashtë fushës së lojës.