Sport

Trepça, një hap larg suksesit që e pati para një dekade

Skuadra e Trepçës është tri fitore larg për ta mbyllur edicionin 2021/22 me dy trofetë kryesorë të basketbollit kosovar.

Pasi triumfoi në garën për Kupën e Kosovës në muajin shkurt, Trepça është kualifikuar në finalen e plejofit në Superligë. Në finale skuadra mitrovicase do të përballet me Golden Eagle Yllin.

Herën e fundit kur Trepça pati fituar të dy këta trofe ishte para një dekade, në edicionin 2011/12, e udhëhequr në parket nga Drilon Hajrizi. Hajrizi ishte lider i Trepçës edhe në ndeshjen e katërt gjysmëfinale ndaj Pejës, të enjten, të cilën ekipi nga Mitrovica e fitoi për ta konfirmuar kalimin në finale. Në palestrën “Karagaçi” në Pejë, Trepça triumfoi me shifrat 81:76, kurse Hajrizi e mbylli ndeshjen me “double-double” prej 22 pikëve e 12 kërcimeve. Në gjysmëfinale, Trepça e eliminoi Pejën me rezultatin e përgjithshëm 3:1.

Sipas Hajrizit, Trepça mund ta fitojë titullin, por vetëm nëse angazhohet dhe paraqitet sikurse kundër Pejës. Ai insiston se ka ardhur koha që titulli të kthehet në Mitrovicë pas pritjes prej dhjetë vjetësh. Madje thotë se u kthye te Trepça për ta shtyrë ekipin drejt trofeve.

“Gjithçka po shkon sipas planit që e kemi pasur në fillim të kampionatit dhe deri më tani pothuajse është përsëritur komplet viti 2012. Na ka mbetur edhe finalja e plejofit, që është e fundit për këtë sezon dhe shpresoj që të angazhohemi maksimalisht për ta fituar. Dëshira dhe synimi është ta përsëritim edhe njëherë suksesin që e patëm para një dekade”, është shprehur Hajrizi të premten për KOHËN. “Është një periudhë e gjatë, më saktësisht një agjërim shumë i madh i klubit për titullin e kampionit dhe tani e kemi mundësinë e artë. Do të bëjmë të pamundurën për ta kthyer titullin në Mitrovicë”.

Hajrizi dëshiron që kthimin e tij te Trepça ta kurorëzojë me dy trofe. Sipas tij, Trepça këtë edicion është mobilizuar tërësisht dhe ka lënë prapa periudhën kur është dashur ta sigurojë mbetjen në elitë nëpërmjet ndeshjeve të plejautit.

“Jam shumë krenar që jam pjesë e një mobilizimi të tillë të klubit. Klubi është në një prej situatave më të mira prej se jam pjesë e tij. Në plan afatgjatë është që do të vazhdojë edhe edicionin tjetër në këtë mënyrë, duke synuar të gjithë trofetë, pasi Trepça gjithmonë ka qenë ekip me synime të mëdha në basketbollin kosovar”, është shprehur Hajrizi. “Natyrisht që këtu u rrita si lojtar dhe dëshiroj ta fitoj sërish titullin për qytetin tim. Pas kupës do të ishte fantastike edhe fitimi i titullit, trofe që i pata fituar para dhjetë vjetësh”.

Hajrizi ka shtuar se nuk do të jetë aspak e lehtë seria finale ndaj Yllit, duke pasur parasysh se ekipi nga Suhareka është kampion në fuqi.

“Përfundimisht Ylli është skuadër shumë serioze, me cilësi brenda grupit. Por si çdo ekip i ka pikat e dobëta të cilat do të mundohemi t’i sulmojmë. Me angazhimin si në gjysmëfinale jam i bindur se do të jetë një finale e madhe për gjithë basketbollin e Kosovës”.

Seria e ndeshjeve finale nis të dielën prej orës 17:30, me duelin e parë që luhet në palestrën “13 Qershori” në Suharekë. Ylli ishte kampion i stinorit të rregullt me tri pikë më shumë se Trepça që doli e dyta. Si Ylli, ashtu edhe Trepça u kualifikuan direkt në gjysmëfinale, seri në të cilën ekipi nga Suhareka e eliminoi Sigal Prishtinën, 3:0.

Edhe Ylli e ka fituar një trofe në fillim të këtij edicioni, Superkupën e Ligës Unike.

Për Trepçën kjo është finalja e tretë këtë edicion. Në fillim të edicionit Trepça arriti deri në finale të Superkupës së Kosovës, por u mposht nga Prizreni-16. Prej tri finaleve këtë edicion, Trepça synon t’i fitojë dy dhe këtë e konfirmon edhe drejtori sportiv i klubit, Izet Tahiri. Tahiri një dekadë më parë ishte në shtabin teknik si ndihmëstrajner.

“Për fat të mirë e arritëm finalen me shumë mund, por në fund ia dolëm. Është normale që ne pretendojmë ta fitojmë edhe titullin, pavarësisht se nuk është e lehtë sepse kemi përballë një skuadër si Ylli që është e dëshmuar dhe serioze. Por në serinë finale do të japim atomin e fundit për ta përsëritur vitin 2012”, pranoi Tahiri, që foli edhe për rrugëtimin e Trepçës deri në finale.

“Ne realisht jemi një kryesi e re dhe kemi pasur sfida të ndryshme përpara. Por nuk jemi dorëzuar për asnjë moment. Përkundrazi, jemi forcuar edhe më shumë dhe kemi punuar maksimalisht të motivuar. Tash jemi në finalen e tretë. Kemi prekur finalen e të gjithave garave ku kemi marrë pjesë këtë edicion, që do të thotë se është një rrugëtim i suksesshëm, që fillimisht as që e kemi besuar. Me kalimin e kohës e kemi parë se është e mundur dhe tani synojmë ta mbyllim edicionin me tjetër trofe”.