Trepça e përfundon vitin si lidere në tabelën e Superligës së Kosovës në basketboll. Të mërkurën mbrëma në Mitrovicë, Trepça fitoi ndaj Istogut me rezultat të thellë, 106:65.
Ndeshja i takoi xhiros së 15-të të elitës së basketbollit kosovar. Në fakt, skuadra mitrovicase kishte siguruar pozitën e parë edhe para se të niste ndeshja ndaj Istogut.
Fitorja ndaj skuadrës istogase edhe pritej të marrë për bazë pozitën në tabelë dhe cilësinë e skuadrave.
Trepça i ka 28 pikë në pozitën e parë, ndërsa Istogu është i fundit me 16 pikë. Derisa skuadra mitrovicase ka bilanc prej 13 fitoresh e dy humbjesh, Istogu ka një fitore e plot 14 humbje.
Në ndeshjen e së mërkurës Istogu ishte vendas, por e organizoi takimin në Mitrovicë për shkak se palestra në Istog është e dëmtuar dhe jashtë funksionit.
Edhe
Trepça e feston titullin e shtatë në Prizren
Trepça dëshmoi superioritetin që në çerekun e parë, të cilin e fitoi 31:10. Istogu shfaqi më shumë në çerekun e dytë, por mitrovicasit dominuan plotësisht në pjesën e dytë për fitoren e thellë.
Darnell Edge i kishte 17 pikë, 14 asistime e pesë kërcime për Trepçën. Jordy Tshimanga e përfundoi ndeshjen me 22 pikë e 13 kërcime. Drilon Hajrizi i kishte 14 pikë, gjashtë kërcime e pesë asistime, ndërsa Erjon Kastrati kontribuoi me 16 pikë, tri kërcime e dy asistime.
Tyres Prince i Istogut i kishte 21 pikë, pesë kërcime e katër asistime. 19 pikë i realizoi Desmond Halloway, që kishte edhe gjashtë kërcime. Daquan Brooks i kishte 11 pikë e pesë asistime.
Fitorja e së mërkurës ishte e teta rresht për skuadrën e Trepçës. Humbjen e parë kampionale ia kishte shkaktuar Peja në kuadër të xhiros së tretë. Më pas e kishte mposhtur vetëm edhe Golden Eagle Ylli, në kuadër të xhiros së shtatë.
Trepça, e drejtuar nga Adis Beqiragiq, aktualisht vlerësohet favoritja kryesore në garën për titull. Ka lojtarët prej më cilësorëve të vendit, ndërsa ka angazhuar edhe lojtarë cilësorë të huaj. Ka bërë zëvendësimin e disa të huajve. Shquhet edhe për stabilitet financiar e po ashtu për organizim të duhur. Dhe gjithë këta komponentë bënë që Trepça në vjeshtë të jetë skuadra kryesore në Superligë.
Edhe
Trepça e pandalshme, e fiton gjysmëfinalen e parë
“Përveç çerekut të dytë, ndaj Istogut kemi luajtur shumë mirë dhe treguam karakter. Përgëzoj lojtarët për paraqitjen, ndërsa sa i përket vendit të parë dhe 13 fitoreve pas 15 xhirove, kjo vetëm tregon dhe konfirmon synimet tona për titullin e kampionit. Por, ne duhet të punojmë edhe më shumë dhe të vazhdojmë me këtë ritëm në pjesën e dytë të edicionit, ndonëse do të jetë më vështirë duke u bazuar në lojtarët që i kanë marrë ekipet tjera. Edhe një herë dua të përgëzoj lojtarët për atë që kanë treguar deri më tani këtë kampionat”, ka theksuar Beqiragiq.
Ashtu si ka theksuar trajneri boshnjak, Trepça pritet të përballet me garë më të fortë në pranverë.