Trepça po e vazhdon dominimin e plotë në Superligën e Kosovës në basketboll. Të dielën mbrëma në “Minatori” e mposhti Golden Eagle Yllin në njërin prej derbive të xhiros së 18-të. Ndeshja e fundit e kësaj xhiroje përfundoi me rezultatin 98:81 në të mirë të “xehetarëve”.
Kampionia në fuqi, Trepça, është në seri prej dhjetë fitoreve. Humbjen e fundit e ka pësuar nga Vëllaznimi më 7 dhjetor. Tani udhëheqë në tabelë me 33 pikë, tri më shumë se Bashkimi. Gjithsej ka 15 fitore e tri disfata.
Ylli i Suharekës e pësoi humbjen e dhjetë, ndërsa i ka edhe tetë fitore. Mban vendin e pestë me 26 pikë.
Lojtarët e Trepçës nisën furishëm dhe çerekun e parë e fituan 26:16. Rrjedha e lojës ishte e njëjtë edhe në çerekun e dytë, që përfundoi 36:25.
Pas pjesës së parë dallimi ishte 21 pikë, 62:41, në të mirë të vendasve.
Fitorja e mitrovicasve nuk u rrezikua as në pjesën e dytë, ndonëse ritmi i tyre ra. Ylli e fitoi çerekun e tretë me rezultat 17:16 dhe të katërtin me shifrat 23:20. Por kjo i mundësoi vetëm që ta zbusë pak disfatën.
Kenny Hasbrouck ishte më i dalluari te Trepça me 27 pikë. Dardan Kapiti i kishte 17 pikë e gjashtë kërcime, kurse Akili Vining realizoi 16 pikë, gjashtë kërcime e gjashtë asistime. Mikaile Tmushiq e Moustapha Amzi i kishin nga 14 pikë. Amzil shtoi edhe nëntë kërcime.
Tek Ylli më i miri ishte qendra Brandon Huffman. Për 20 minuta lojë, ai i kishte 19 pikë e katër kërcime. Scott Bamforth i shënoi 20 pikë, ndërsa bëri dy kërcime e dy asistime. 19 pikë i kishte Erjon Kastrati, kurse në dhjetë u ndal Antwan Scott.
Trepça javën e kaluar e mposhti rivalin kryesor për titull, Bashkimin. Më herët fitore të thella ka shënuar edhe ndaj Pejës e Sigal Prishtinës. Dhe aktualisht po shfaqet si pretendentja kryesore në garën për titull të kampionit.