Basketboll

Trepça fiton bindshëm ndaj Yllit në Suharekë

trepca

Kampionia e Kosovës në basketboll, Trepça, ka shënuar fitore bindëse ndaj Golden Eagle Yllit në palestrën “13 Qershori” në Suharekë të shtunën në mbrëmje.

Ndeshjen e xhiros së 11-të të elitës së basketbollit kosovar, Trepça e fitoi me rezultatin 98:69.

Vendësit e fituan vetëm çerekun e parë 19:17, ndërsa më pas nisi dominimi i mitrovicasve. Me rezultatin 35:12 përfundoi periudha e dytë, kurse “xehetarët” në pushim shkuan me 21 pikë epërsi, 52:31.

Suharekasit edhe në dy periudhat e fundit nuk arritën të shënojnë më shumë se 19 pikë, kurse Trepça i realizoi 22 në të tretin e 24 në çerekun e fundit, për fitoren me plot 29 pikë dallim.

Për Trepçën ishte fitorja e shtatë, ndërsa i ka edhe tri humbje. E ka edhe një ndeshje më pak të luajtur.

Golden Eagle Ylli ndërkohë e pësoi humbjen e tetë, ndërsa i ka edhe tri fitore.

Seketoure Henry ishte më i miri sërish në fitoren e Trepçës. Henry i shënoi 25 pikë, gjashtë kërcime dhe pesë asistime.

Edhe Mikaile Tmushiq kontribuoi shumë në fitore me 20 pikë, tri kërcime e katër asistime, ndërsa Ja’cori Payne e mbylli ndeshjen me 15 pikë, tri kërcime e shtatë asistime.

Drilon Hajrizi shënoi 13 pikë, ndërsa i pati edhe pesë kërcime.

Te Golden Eagle Ylli lojë shumë të mirë pati Antëan Scott. Ai regjistroi dyshifror të dyfishtë prej 20 pikëve, 10 asistimeve e pesë kërcimeve. Por, loja e tij e mirë nuk i ndihmoi suharekasve që tani drejtohen nga kroati Jeronimo Sharin. Sharini qëkur e mori drejtimin e Yllit ka bilanc prej dy fitoreve e dy humbjeve.