Sport

Trajneri i SHBA-së do t’i përdorë taktikat holandeze kundër Holandës

Gregg Berhalter u ndje si student kur nënshkroi me klubin holandez Zwolle, 28 vjet më parë. Trajneri i SHBA-së planifikon të zbatojë mësimet që ka mësuar tek ekipi holandez, kur amerikanët të luajnë me Holandën, të shtunën, për një vend në çerekfinale të Kupës së Botës.

Holanda – SHBA është ndeshja e parë e një të tetës së finales dhe luhet prej orës 16:00.

“Shkova në Holandë sapo mbarova universitetin dhe isha krejtësisht i papërgatitur për futboll të nivelit profesional”, tha Berhalter të premten. "Nëse nuk do të isha në Holandë, nuk mendoj se do ta kisha pasur atë bazë që me të vërtetë ndihmoi në formësimin e ideve të mia”.

Tani 49 vjeç, Berhalter do të bazohet në taktikat holandeze në përballje me Louis van Gaalin, që me 71 vjet është trajneri më i vjetër në turneun e Katarit. Van Gaal udhëhoqi Holandën drejt vendit të tretë në Botërorin e vitit 2014 dhe në konferencën për shtyp u paraqit i nervozuar me mediumet e vendit të tij. “Nëse më duhet të besoj mediat holandeze, ne nuk do të bëhemi kurrë kampionë bote”, tha Van Gaal në gjuhën holandeze. “Në vitin 2014 ishte saktësisht e njëjta gjë, jashtëzakonisht negative. Tani është përsëri e njëjta gjë. Unë jam mësuar me këtë dhe mendoj se lojtarët janë mësuar po ashtu. Kështu që ne do të vazhdojmë rrugëtimin tonë me qetësi”.

Van Gaal, të cilit i skadon kontrata pas Kupës së Botës, shmangu pyetjet nëse do të bëhej trajner në Afrikë apo do të zëvendësonte Roberto Martinez, i cili u nda me Belgjikën pasi ekipi i tij u eliminua.

“Ne duam të jemi kampionë bote, kështu që kemi katër ndeshje përpara nesh dhe më pas do të shohim nëse ka ndonjë ofertë në tryezë. Nëse bëhemi kampionë bote, do të ketë oferta në tavolinë, por ne nuk jemi ende kampionë bote”.

Pasi humbi finalet në vitet 1974, 1978 dhe 2010, Holanda e filloi këtë Kupë Bote me fitore 2:0 ndaj Senegalit. Barazoi 1:1 me Ekuadorin dhe mundi Katarin 2:0 për të përfunduar në krye të Grupit A.

Skuadra e Van Gaal është kritikuar në shtëpi për mungesën e supozuar të aftësisë sulmuese, pavarësisht se ka seri prej 18 ndeshjesh pa humbje.

“Po qesh, sepse gjithmonë ka kritika në Holandë”, tha amerikani Berhalter. “Unë mendoj se Louis van Gaal është një trajner i madh dhe shumë i fortë. Van Gaal e kupton se detyra e tij është t’ia sigurojë fitoren ekipit dhe jo të merret me lojë sulmuese apo gjëra tjera”.

Amerikanët kanë disa lidhje holandeze. Drejtori sportiv Earnie Stewart u rrit në Holandë, ashtu si edhe mbrojtësi aktual i krahut të djathtë, Sergino Dest.

“Do të jetë shumë argëtuese të luaj kundër vendit ku kam lindur”, tha Dest. "Unë njoh pothuajse çdo djalë atje”.

Dest ishte bashkëlojtar me mbrojtësin holandez Daley Blind tek Ajaxi, përpara se të transferohej te Barcelona dhe pastaj te Milani. Ai iu bashkua ekipit italian për të pasur mundësinë të ftohet në turneun e Katarit, ku është i pazëvendësueshëm në përbërjen e amerikanëve.

Trajneri amerikan Berhalter pyetjet i pranonte në gjuhën holandeze pa pasur nevojë për përkthyes. Ai u largua nga Universiteti i Karolinës së Veriut për të firmosur me Zwollen në vitin 1994, ndërsa luajti edhe te Sparta e Rotterdamit dhe Cambuuri deri në vitin 1998. Madje në vitin 1997 ishte përballur me Ajaxin e Van Gaalit.

“SHBA-ja ka ekip fantastik, do të thosha një prej ekipeve më të mira që ka pasur ndonjëherë. Do të jetë ndeshje e vështirë, por jo e pakalueshme për ne. Edhe ne kemi ekip të mirë”, insistoi Van Gaal.

SHBA-ja ka luajtur pesë herë kundër Holandës dhe të gjitha ishin ndeshje miqësore. Amerikanët i humbën katër të parat, përpara se ta fitonin duelin e pestë me shifrat 4:3 në vitin 2015. Amerikanët nuk kanë arritur në çerekfinale që nga viti 2002, ndërsa janë eliminuar në 1/8 e finales në vitin 2010 dhe 2014, nga Gana, përkatësisht Belgjika. Berhalter është angazhuar si trajner pas dështimit të SHBA-së për t’u kualifikuar në Botërorin e vitit 2018.

“Ajo që unë vëzhgoj është një vizion”, tha Van Gaal. “Ajo që shoh është një ekip që është i prirë për të zbatuar atë vizion, i cili është i një rëndësie të madhe. Dhe unë shoh bindjen, veçanërisht bindjen e lojtarëve. Kështu që kjo për një trajner duhet të jetë fantastike.”

Skuadra e Van Gaalit ka qenë duke luftuar me gripin, ashtu si amerikanët javën e kaluar. SHBA-ja e hapi kampanjën në Katar me barazime kundër Uellsit dhe Anglisë, më pas mundi Iranin 1:0 me një gol të Christian Pulisicit, i cili u lëndua. Megjithatë, Pulisic është rikuperuar dhe pritet të luajë të shtunën ndaj Holandës. SHBA-ja ka pranuar vetëm një gol në Kupën e Botës.

Berhalter vlerësoi një mbrojtje kolektive dhe kujtoi se mësimet nga ditët e tij holandeze kanë dhënë efektin e dëshiruar.

“Jam i kënaqur me atë që kemi treguar deri më tani, sidomos në mbrojtje. Ndërsa pres të jemi efikas edhe në sulm. Jemi në fazën ku duhet të tregohemi të kujdesshëm për shkak se humbja na kthen në shtëpi. Ne duam të vazhdojmë qëndrimin në Katar dhe për ta bërë këtë duhet ta mposhtim Holandën, që ka një ekip dhe trajner shumë të mirë”, është shprehur Berhalter.