Sport

Messit i vjen keq për polemikat me holandezët në Botëror

Lionel Messi

Fituesi i Kupës së Botës, Lionel Messi, u pendua për shkëmbimet e ashpra të fjalëve me trajnerin dhe lojtarët e Holandës gjatë çerekfinales së diskutueshme në Botërorin në Katar. Superylli i futbollit e tha këtë në një intervistë të publikuar të hënën.

Messi dha intervistën e parë që nga ngritja e trofeut në dhjetor. Ai foli për radion “Urbana Play” të Buenos Airesit. Kapiteni i Argjentinës foli për përplasjen e ashpër me holandezët që amerikanojugorët e fituan në penallti. Një rekord prej 17 kartonëve të verdhë u vendos duke përfshirë një për Messin për mospajtim. Kur Messi shënoi nga penalltia në kohën e rregullt, ai qëndroi përballë trajnerit holandez Louis van Gaal dhe me të dy duart kapi veshët e tij. Pas ndeshjes ai bëri gjeste drejt bankinës holandeze dhe ofendoi sulmuesin Wout Weghorst, i cili shënoi dy herë në kohën e rregullt.

“Nuk më pëlqen ajo që bëra, nuk më pëlqen ajo që ndodhi më pas”, tha Messi. “Këto janë momente me shumë tension, shumë nerva. Është shumë shpejt dhe njerëzit reagojnë ashtu siç reagojnë. Asgjë nuk ishte planifikuar, thjesht ndodhi”.

Ajo çerekfinale ishte e rrethuar nga polemikat. Para përballjes, trajneri Van Gaal tha se lojtarët e tij ishin më të përgatitur se rivalët e tyre për gjuajtje të penalltive. Ai gjithashtu tha se “Messi nuk e preku topin” në gjysmëfinalen mes dy ekipeve në Kupën e Botës 2014. Argjentina gjithashtu e fitoi atë ndeshje me penallti.

Messi tha se ishin bashkëlojtarët ata që i treguan për fjalët e Van Gaalit, të cilat e motivuan. Ndërsa sa i përket momentit me sulmuesin Weghorst, Messi tha se ishte “gjë natyrale”.

“Unë kam reaguar ashtu. Kishte pasur shumë gjëra me këtë lojtar, momente tensioni si këto. . . Unë isha në ‘zonën mix’, thjesht ndodhi”, tha Messi. “Nuk më pëlqen ta lë atë imazh, por këto gjëra ndodhin”.

Messi tha gjithashtu se Argjentina “në përgjithësi ishte më e mirë se rivalja e saj” dhe zgjodhi Meksikën, si kundërshtaren e dytë në grup si “më të ashpër”.

“Ishte ndeshja më e keqe që luajtëm për shkak të të gjitha gjërave të përfshira, pasi ishte çështje fitoreje”, tha Messi.

Argjentina humbi ndeshjen e saj hapëse ndaj Arabisë Saudite, 2:1, në një nga befasitë më të mëdha në historinë e Kupës së Botës dhe iu desh të mposhtte Meksikën për të qëndruar në garë për të avancuar në rundin nokaut. Meksika u mund 2:0 dhe Argjentina avancoi tutje. Messi tha se nuk e ka parë më finalen kundër Francës. Argjentina fitoi finalen me penallti për të fituar titullin e parë të Kupës së Botës që nga viti 1986.

“Që nga ajo ditë gjithçka ndryshoi për mua”, tha ai. “Për fat, ndodhi ajo që ne ëndërruam kaq shumë. E doja kaq shumë këtë trofe në karrierën time dhe në fund erdhi”.