Holanda është në prag të kalimit të fazës së grupeve në Kupën e Botës dhe favorite e padiskutueshme në ndeshjen e fundit të Grupit A. Holanda të martën luan kundër nikoqirit, Katarit, nga ora 16:00.
Nëse holandezët avancojnë, do të ketë më shumë vëmendje te përzgjedhësi 71-vjeçar, Louis van Gaal, i cili u kthye nga pensioni një vit më parë për ta marrë drejtimin e përfaqësueses, përderisa ishte duke u shëruar nga kanceri agresiv i prostatës.
Përfaqësuesja e shtetit nikoqir, Katarit, i ka humbur dy ndeshjet e para dhe tashmë e ka humbur shansin për të kaluar tutje nga faza grupore. Por, përzgjedhësi Felix Sanchez thotë se ekipi i tij do të përgatitet për t’u ballafaquar me një prej fuqive tradicionale të futbollit.
“Kur luan ndaj një skuadre siç është Holanda, nuk ka nevojë për motivim”, ka thënë Sanchez. “Është sfidë për lojtarët tanë për t’u ballafaquar me një ekip të tillë. Ka qenë një grup shumë i vështirë për ne. Ne kemi garuar me ngritje dhe ulje të formës. Do të kishim preferuar të ishim në një situatë më të mirë”.
Holandës do t’i mjaftonte edhe një barazim për të avancuar dhe për ta futur veten në garë për triumf në Kupën e Botës, në të cilën dështoi të kualifikohej katër vjet më parë. Holanda e kalon fazën grupore edhe me disfatë, por vetëm nëse Ekuadori e mposht Senegalin në ndeshjen tjetër të Grupit A.
Në 1/8 e finales, Holanda do të përballej me njërën prej dy skuadrave të para të Grupit B, ku Anglia është favorite, me Iranin, Uellsin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që synojnë avancimin.
Van Gaal ka thënë para Kupës së Botës se Holanda mund ta fitojë gjithë turneun, megjithëse pak njerëz e shohin këtë ekip si më të mirin. Ai një gjë të tillë e ka përsëritur edhe në prag të ndeshjes me Katarin.
“Mendoj se gjithmonë duhet të identifikohet synimi dhe qëllimi pse gjendesh këtu, dhe më pas duhet të punosh për ta arritur atë synim. Nëse thua ‘në rregull, 1/8 e finales është mjaftueshëm, çerekfinalja është e mjaftueshme’, kjo nuk është rruga e duhur për të bërë diçka”, ka thënë Van Gaal.
“Rruga e duhur për t’i bërë gjërat siç duhet është të mendosh se do të dalësh kampion”, shtoi Van Gaal. “Nuk kam thënë asnjëherë se ne do të bëhemi kampion bote, por ne mund të bëhemi”.
Ai ka arsye për të qenë optimist. Holanda është në seri prej 17 ndeshjeve pa disfatë nën drejtimin e Van Gaalit, qëkur ai u rikthye për ta udhëhequr ekipin për herën e tretë.
Asnjë shtet i fuqishëm i futbollit nuk i është afruar më shumë Kupës së Botës sesa holandezët, të cilët kanë qenë finalistë tri herë: në vitin 1974 ndaj Gjermanisë Perëndimore, ndaj Argjentinës në vitin 1978 dhe ndaj Spanjës në vitin 2010.
Holanda përfundoi në vendin e tretë në Kupën e Botës 2014 në Brazil, pasi humbi në penallti nga Argjentina në gjysmëfinale.
Pasi ka qenë jashtë lojës për disa vjet, Van Gaal u rikthye nga pensionimi dhe e zëvendësoi Frank de Boerin në gusht të vitit 2021. Ai tha se e kishte për detyrë.
“Sepse, thjeshtë, askush tjetër nuk ishte në dispozicion në atë kohë”, tha Van Gaal.
Guximi i Van Gaalit duhet të kthehet në motivim për holandezët. Por ai ndoshta edhe mund t’i shkaktojë trazira Katarit.
Më herët gjatë këtij viti, Van Gaal ka thënë se ka qenë “qesharake” zhvillimi i Kupës së Botës në Katar, një shtet i vogël me tre milionë banorë. Pasuria e madhe e Katarit vjen nga gazi natyror dhe nafta.