Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Topi i Adidasit e “fut” Pakistanin në Kupën e Botës

Edhe pse është vend i çmendur pas kriketit, Pakistani po luan rol të madh në Kupën e Botës në futboll, duke i bërë topat që përdoren në fushat stërvitore në Katar dhe kopjet që u shiten tifozëve në mbarë botën.

“Forward Sports”, një kompani e pajisjeve sportive në qytetin verilindor Sialkot, ka punuar me kompaninë Adidas AG për gati 20 vjet. Është kjo një nga dy prodhuesit e “Al Rihla” të Adidasit, topit zyrtar të Kupës së Botës.

Drejtori Hassan Masood Khawaja tha se kompania e tij kishte prodhuar 5.5 milionë topa “Al Rihla”, duke përfshirë 60 mijë topa me cilësi të lartë, vetëm pa teknologjinë e kohës reale që ndihmon gjyqtarët me thirrjet për pozitë jashtë loje. Topat përdoren nga skuadrat ndërsa stërviten në Katar dhe shiten si produkt premium për entuziastët e futbollit në të gjithë globin. Ndërsa pjesa tjetër shiten si topa me çmime më të ulëta për të kaluar kohën e lirë dhe si dhurata. Topat e ndeshjes janë prodhuar në Kinë, por Adidasi nuk pranoi ta identifikonte prodhuesin. Për kompaninë nga Pakistani, kontrata është një burim krenarie.

“Më shumë se biznes, është çështje prestigji dhe nderi për ne që të bëjmë topin e Kupës së Botës”, tha Khawaja. “Si e bëjmë këtë? Është aftësia e njerëzve ... dhe dashuria jonë për sportin”.

Ndërsa futbolli është sporti më i popullarizuar në mesin e tifozëve, Përfaqësuesja e Pakistanit renditet në pozitën 194 nga 211 vende në ranglistën e FIFA-s. Kriketi është sporti suprem që mbretëron në Pakistan.

Qyteti Sialkot ka një histori të pasur të prodhimit të topave të futbollit dhe pajisjeve të tjera sportive që daton që nga kohërat koloniale. Pakistani mbetet një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të topave të futbollit, së bashku me Kinën dhe Indinë. Dhoma lokale e tregtisë tha se më shumë se 43 milionë topa me vlerë 191 milionë dollarë u prodhuan në qytetin Sialkot në vitin financiar 2021/22. Rreth 8 për qind e popullsisë së qytetit Sialkot prej rreth 1 milion njerëz, punojnë në industri. Por shumica thonë se kanë pak kohë për ta parë produktin e tyre në veprim.

Edhe Tifozët mësohen me një Kupë Botërore pa birrë Sport Tifozët mësohen me një Kupë Botërore pa birrë

“Ne punojmë gjithë ditën”, tha inspektorja e kontrollit të cilësisë në “Forward Sports”, Amna, kur u pyet nëse shikonte futboll. “Natën, kur shkojmë në shtëpi, duhet të pushojmë”.

Megjithatë në qytetin Sialkot ndihen krenar që falë prodhimit të topave për turneun e Katarit kanë bërë që edhe Pakistani të njihet në këtë turne, ndonëse nuk merr pjesë me ekip.