Ndërsa shqetësimi rritet për numrin e lëndimeve të pësuara nga futbollistet, marka gjermane e veshjeve sportive “Puma” po e sheh Kupën e Botës për futbolliste si një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin për këpucët e futbollit të dizajnuara posaçërisht për këmbët e grave.
Disa prej lojtareve kyç u është dashur të humbin turneun që filloi javën e kaluar për shkak të këputjes së ligamenteve të gjurit. Një shkallë më e lartë e lëndimeve në futbollin e femrave mund të jetë pjesërisht për shkak të mbështetjes në këpucët e dizajnuara kryesisht për futbollistë, thonë shkencëtarët e sportit. Një raport i kohëve të fundit i koordinuar nga Shoqata Evropiane e Klubeve të Futbollit zbuloi se deri në 82 për qind e futbollisteve nuk ndiejnë aspak rehati kur mbathin këpucët për të luajtur apo stërvitur. Kompanitë e veshjeve sportive janë nën vëzhgim për shkak se nuk po prodhojnë mjaftueshëm këpucë futbolli të përshtatshme për këmbët e femrave, të cilat dallojnë prej atyre të meshkujve.
Kryetarja e Komitetit të Grave dhe Barazive të Parlamentit Britanik u shkroi drejtuesve të kompanive “Adidas”, “Nike”, “Puma” dhe “Umbro” më 3 korrik duke vënë në dukje shkallën e lartë të dëmtimeve të ligamenteve të futbollisteve dhe kërkoi informacione shtesë për produktet e tyre për sportistet.
“Pse ka kaq pak këpucë futbolli në treg, të dizajnuara posaçërisht për femrat?”, shkruante ndër të tjera në letrën e saj deputetja Caroline Nokes.
Duket se kjo letër ka pasur efektin e saj pasi kompanitë e mëdha sportive kanë filluar të reagojnë, duke ndier këtë si një mundësi biznesi ndërsa futbolli i femrave po merr hov.
“Nike” muajin e kaluar lansoi këpucë të reja për futbolliste, ndërsa “Adidas” më 4 korrik prezantoi tri modele të zhvilluara dhe testuara me “një ndarje të barabartë gjinore”.
Të enjten, shefi ekzekutiv i kompanisë “Puma”, Arne Freundt, tha se më shumë se 90 lojtare në Kupën e Botës, të organizuar nga Australia dhe Zelanda e Re, po luajnë me këpucët Puma. Një zëdhënës tha se 95 për qind e futbollisteve kanë preferuar këtë markë duke pasur parasysh se “Puma” tashmë ka prodhuar linjën e veçantë të këpucëve të përshtatshme për femra. Faqja e internetit e “Pumas” në Mbretërinë e Bashkuar tregon pesë lloje të këpucëve të futbollit “të krijuara për këmbën femërore”, me çmim midis 85 dhe 220 euro.
Edhe
Pse lojtarët kanë këpucë futbolli rozë në Kupën e Botës?
“Ne besojmë se kjo përshtatje e këpucëve për femrat është shumë e rëndësishme për to për të përmirësuar edhe më tej performancën, por edhe për të parandaluar lëndimet”, tha Freundt.
“Puma” po investon në një studim hulumtues që do të eksplorojë më tej dëmtimet e ligamenteve në futbollin e femrave, tha kompania në një deklaratë të veçantë të enjten. Studimi bëhet me synimin për të zhvilluar më tej këpucët specifike për femra, ndër të tjera. Freundt nuk ndau shifrat e shitjeve për këpucët e futbollisteve, duke thënë: “Për të qenë shumë i sinqertë, mendoj se ne ende duhet të ndërtojmë më shumë ndërgjegjësim rreth kësaj”.
Kompania “Puma” sponsorizon ekipet e femrave të Zvicrës dhe Marokut, si dhe futbolliste individuale që luajnë për Italinë, Kanadanë, Holandën dhe ekipe të tjera. Kupa e Botës për futbolliste u zgjerua këtë vit në 32 ekipe, nga 24 sa ishin në 2019. Kjo do të thotë se gjithsej 736 lojtare janë të pranishme në këtë ngjarje.