Sulmuesi Kylian Mbappe lëndoi gjurin të premten mbrëma në fitoren e Francës ndaj Turqisë në Ligën e Kombeve.
Lëndimi i Mbappes ka ngritur dyshime nëse kanë ndikuar këpucët e reja të markës zvicerane sportive “On”.
Mbappe, që e shënoi golin e fitores, është larguar nga kampi francez menjëherë pas ndeshjes pas telasheve që kishte me gjurin e majtë.
Ai ndjeu dhembje menjëherë pasi shënoi gol të bukur në minutën e 54-t. U zëvendësua pesë minuta më vonë.
Lëndimi i tij u konfirmua nga përzgjedhësi Zinedine Zidane, por edhe nga Federata e Futbollit e Francës.
Mbappe nuk do të luajë për Francën në ndeshjet ndaj Belgjikës dhe Italisë.
Por, mund t’i mungojë Real Madridit edhe në ndeshje të rëndësishme ndaj Villarrealit, Romës, Sevillas, Leipzigut dhe në “El Clasico” ndaj Barcelonës. Reali me Barcelonën luan më 25 tetor.
Tetë ditë para ndeshjes ndërmjet Francës dhe Turqisë, lëndimin e Mbappes e kishte paralajmëruar fizioterapisti spanjoll, Angel Villanueva.
“Çdo ndryshim në këpucë ndryshon pak biomekanikën dhe stresin në këmbë, kyçe të këmbëve, gjunjë dhe zinxhirë muskujsh, duke rritur përkohësisht rrezikun e lëndimit”, shkroi Villanueva në një postim në “X”. “Është një faktor që duhet marrë në konsideratë dhe mbajtur mend”.
Për lëndimin e Mbappes ka shkruar të dielën mediumi zviceran “20 Minuten”. Marka zvicerane “On” i hodhi poshtë fuqimisht akuzat dhe thashethemet.