Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Jordania synon triumfin e parë në Kupën e Azisë

Jordania po e synon trofeun e parë të Kupës së Azisë, ndërsa të shtunën do të luajë me nikoqirin e turneut, Katarin.

Ndeshja mes Jordanisë dhe Katarit nis në orën 16:00, në “Lusail Iconic Stadium”.

Në këtë impiant u zhvillua finalja e Kupës së Botës 2022.

Jordania, që është në pozitën e 87-të në ranglistën e FIFA-s, e befasoi Korenë e Jugut në gjysmëfinale duke e mposhtur 2:0.

Arriti në finale për herë të parë.

“Kjo është ndeshje shumë e rëndësishme pasi mund ta fitojmë trofeun e parë madhor për Jordaninë në futboll”, ka thënë përzgjedhësi i Jordanisë, Hussein Ammouta.

“Jemi përgatitur për këtë finale pa shtuar presion mbi lojtarët. Shpresojmë të dhurojmë paraqitje të nivelit tonë, atë të cilën e kemi shfaqur kur arritëm në finale. Jam i kënaqur me këtë arritje. Katari është fitues në fuqi i trofeut dhe luan në shtëpi. Por, ne jemi të bashkuar dhe synojmë që ta mbyllim me sukses turneun”, ka shtuar ai.

Jordania e nisi kampanjën me fitore 4:0 ndaj Malajzisë. Barazoi 2:2 me Korenë e Jugut dhe humbi 1:0 nga Bahrejni, por avancoi tutje si njëra prej katër skuadrave më të mira të vendit të tretë.

Në 1/8 e finales mposhtën Irakun 3:2 në ndeshjen dramatike.

Në çerekfinale, Jordania fitoi ndaj Taxhikistanit 1:0, para se ta mposhtte skuadrën e Koresë së Jugut që është 64 pozita më lartë e renditur. Te Koreja e Jugut luan edhe sulmuesi i Tottenhamit, Heung-Min Son, si dhe sulmuesi i Ëolverhamptonit, Hee-Chan Hëang.

Katari nga ana tjetër synon të bëhet vetëm shteti i pestë që fiton dy trofe rresht të Kupës së Azisë.

Në finalen e vitit 2019, Katari mposhti Japoninë 3:1 në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Në fazën grupore në vitin 2024, Katari avancoi me maksimumin e pikëve pas fitoreve ndaj Libanit, Taxhikistanit dhe Kinës, ndërsa me rikthim të rezultatit fitoi 2:1 ndaj Palestinës në 1/8 e finales.

Katari ndaj Uzbekistanit fitoi 3:2 pas ekzekutimit të penalltive në çerekfinale, ndërsa në gjysmëfinale fitoi 3:2 ndaj Iranit.

“Në finale gjithmonë ka presion, sidomos kur luan ndaj një ekipi që është paraqitur mirë përgjatë gjithë turneut”, ka thënë selektori i Katarit, Marquez Lopez.

“Megjithatë, jemi këtu me të njëjtin guxim dhe vendosmëri, duke e kërkuar vetëm fitoren. Kjo vlen për ne. Përballemi me një skuadër të cilën e respektojmë shumë, por kam besim te lojtarët, të cilët kanë cilësi dhe meritojnë të luajnë në këtë turne. Jemi të vendosur që të luftojmë shumë dhe të paraqitemi sa më mirë që është e mundur, për të fituar. Vendi i dytë nuk do të ishte i mjaftueshëm. Synojmë të jemi më të mirët në Azi”, ka deklaruar Marquez Lopez.

Artikuj të ngjashëm