Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botërori 2026

Pse paratë nuk sollën suksesin në Botëror për Arabinë e Katarin?

Arabia

Vendet e Gjirit si Arabia Saudite e Katari, që investuan pasuri të madhe në futboll dhe në infrastrukturë, përjetuan eliminime të hershme nga Kupa e Botës, duke vërtetuar se vetëm paratë e mëdha nuk garantojnë sukses në skenën më të madhe të sportit.

Arabia Saudite u eliminua shumë herët. Përsëri.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Me transferimin e lojtarëve si Cristiano Ronaldo, Neymar dhe Karim Benzema, si pjesë e një fushate spektakolare rekrutimi në vitet e fundit, Arabia Saudite ka qenë një nga faktorët kryesorë që ndryshoi futbollin e klubeve. Por në skenën ndërkombëtare, Arabia ende ka rrugë të gjatë për të bërë, ndonëse e organizon Botërorin pas tetë vjetësh.

Të dielën presidenti i federatës arabe dha dorëheqje. Ai mori përgjegjësinë për dështimin në Botëror.

Katari, organizatori i Botërorit katër vjet më parë, po ashtu është eliminuar herët, në grupe, njëjtë si Irani dhe Iraku.

Në përgjithësi Azia po vuan për të lënë ndonjë gjurmë në Botëror. Dhe ky fakt nuk po ndryshon.

“Edhe ndaj ekipeve që kanë nivelin tonë, nuk kemi luajtur mirë. Dhe kjo është shqetësuese”, ka thënë trajneri i Arabisë Saudite, Georgios Donis.

Katari fitoi pikën e parë në histori në Kupë të Botës, kur barazoi me Zvicrën. Por nuk përfitoi nga momenti dhe u eliminua në grup. Ishte një tjetër eliminim zhgënjyes pas atij në shtëpi katër vjet më parë.

Selektori i Katarit, Julen Lopetegui, është i kënaqur që kanë mundur të garojnë me kundërshtarët e grupit.

Angazhimi i Lopeteguit, ish-trajnerit të Spanjës dhe Real Madridit, dëshmon llojin e investimit që Katari ka bërë për të përmirësuar performancën në skenën globale.

Ndryshe nga Arabia Saudite, Katari nuk ka bërë përpjekje për të tëthequr yje veteranë nga Evropa në ligën e tij.

Ndonëse me numër të vogël banorësh, Katari ka arritur të zhvillojë mjaftueshëm lojtarë vendas për të fituar Kupën e Azisë dy herë radhazi në vitet e fundit dhe për t’u imponuar në një regjion ku janë edhe fuqi të futbollit si Japonia dhe Koreja e Jugut.

Por nuk ka luajtur njëjtë në Kupën e Botës dhe eliminimi i hershëm paraqet dëshpërim pas organizimit të Botërorit katër vjet më parë, që i kushtoi Katarit miliarda dollarë.

“Është vend i vogël, por me pasion të madh dhe investim të madh. Duhet të përmirësohemi vazhdimisht dhe po e bëjmë këtë. Ne e shohim të ardhmen me optimizëm”, ka shtuar Lopetegui.

Arabia Saudite ka rritur ndikimin në sportin global në vitet e fundit. Organizimi i ngjarjeve të mëdha sportive është pjesë e kësaj strategjie. Dhe Botërori në Arabi në vitin 2034 tregon ambiciet e arabëve.

Transferimi i lojtarëve si Ronaldo ka rritur profilin e ligës arabe. Për këtë nuk ka dilema. Por shpresa është që transferimet do të rrisin edhe standardet dhe do të kenë ndikim edhe në rritjen e cilësisë në përfaqësuese.

“Sa më shumë konkurrencë, më mirë do të jetë për lojtarët tanë. Por është ndryshe në ekipin kombëtar. Lojtarët duhet të kenë mentalitetin e duhur”, ka thënë Donis, selektor i Arabisë Saudite.

Arabët kanë rritur investimet në zhvillimin e të rinjve. Ngadalë po heqin dorë prej yjeve ndërkombëtarë. Por Arabia Saudite, njëjtë si Katari, ende po e pret momentin e saj të shkëlqimit në skenën më të madhe. Në SHBA, Kanada e Meksikë ai moment nuk ishte as afër.