Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Synimi i madh i Ronaldos me Al-Nassr – Liga e Kampionëve e Azisë

Cristiano Ronaldo

Ajo që mund të jetë shansi i fundit i Cristiano Ronaldos për të fituar trofeun e parë të Ligës së Kampionëve të Azisë me klubin e tij saudit do të fillojë javën e ardhshme.

Al-Nassr i Ronaldos është një nga pesë ekipet e Ligës Profesionale Saudite që merr pjesë në turne. Së bashku, ata kanë shpenzuar më shumë se 2 miliardë dollarë për lojtarë që nga viti 2023, me Al-Ahli që e ka ngritur trofeun kontinental dy sezonet e fundit.

Kapiteni dhe portieri i Al-Ahlit, Edouard Mendy, shpreson të arrijë trofeun e tretë radhazi në turneun me 32 skuadra.

“Ky është klubi më i madh në Arabinë Saudite dhe Azi dhe ne do të bëjmë gjithçka për të fituar”, tha Mendy pwr Associated Press, i cili u transferua nga klubi anglez i Premier League, Chelsea, në vitin 2023. “Vitin e kaluar fituam Ligën e Kampionëve dhe do të duhet të përdorim të gjitha gjërat që bëmë atëherë për të pasur sukses edhe këtë herë. Po ndërtojmë vit pas viti”.

Një garë, dy zona

Turneu është i ndarë në dy zona gjeografike deri në fazën eliminatore, me tetë ekipet e para nga secila prej tyre që kalojnë tutje.

Al-Ahli e nis mbrojtjen kundër Pakhtakorit të Uzbekistanit në zonën perëndimore. Kampioni i ligës saudite, Al-Nassr, në formacionin e tij përfshin 41-vjeçarin Ronaldo dhe shokun e tij të skuadrës portugeze, Joao Felix, lojtarin më të mirë të sezonit në ligë të vitit të kaluar. Al-Nassr ishte finaliste në kampionatin kontinental të nivelit të dytë sezonin e kaluar.

Felix, i cili iu bashkua klubit të Riadit në vitin 2025 për një tarifë prej rreth 60 milionë dollarësh, është i vendosur të fitojë një titull të madh nën drejtimin e trajnerit të ri Ange Postecoglou .

“Kemi një skuadër vërtet të mirë, një skuadër të thellë, qëllimi ynë është të fitojmë çdo garë që mundemi”, tha Felix për AP. “Duam të fitojmë ligën, kupën dhe Ligën e Kampionëve – gjithçka. Ne nuk luajmë për të ëndërruar – ne luajmë për të fituar”.

Rivali i Riadit, Al-Hilal, ka fituar një rekord prej katër titujsh aziatikë. Pasi shpenzoi më shumë se 200 milionë dollarë gjatë verës për yje të Premier Ligës angleze dhe tre lojtarë ndërkombëtarë - Ollie Watkins i Anglisë, Gabriel Martinelli i Brazilit dhe Crysencio Summerville i Holandës - Hilal do të përballet me pritshmëri të larta.

Al-Ittihad, fitues në vitet 2004 dhe 2005, synon një kurorë të tretë kontinentale. Al-Qadsiah, nën drejtimin e ish-trajnerit të Liverpool dhe Celtic, Brendan Rodgers, po bën paraqitjen e parë në këtë garë.

Ekipet saudite i kanë shmangur dy përfaqësueset e Iranit - Esteghlal të Tehranit dhe Tractor - në fazën e grupeve.

Me tension të lartë për shkak të luftës në rajon, klubet iraniane do të zhvillojnë ndeshje në shtëpi në vende neutrale. Esteghlal do të presë Al-Sadd të Katarit në qytetin irakian të Basrës në raundin e parë. Tractor do të udhëtojë për në Emiratet e Bashkuara Arabe për t’u përballur me Shabab Al-Ahli në Dubai.

Pretendentët e zonës lindore

Klubet nga Japonia kanë humbur dy finalet e fundit ndaj Al-Ahli. Dhe Japonia, ashtu si Arabia Saudite, ka pesë përfaqësuese në turne. Prej tyre, vetëm Gamba Osaka dhe Kashima Antlers e kanë ngritur trofeun më parë, përkatësisht në vitin 2008 dhe 2018.

Koreja e Jugut është kombi më i suksesshëm për sa i përket titujve të kombinuar aziatikë. Shpresat e Koresë së Jugut do të mbështeten te kampionët tre herë Pohang Steelers dhe fituesi dy herë Jeonbuk Hyundai Motors këtë sezon. Shanghai Port dhe Beijing Guoan janë përfaqësueset e Kinës në turne. Tailanda ka tre ekipe për herë të parë. Shpresat e Australisë mbështeten te Newcastle Jets, të cilët bëjnë vetëm një paraqitje të dytë në fazën e grupeve.