Katari kthehet në qendër të vëmendjes të premten, pak më shumë se një vit pas Kupës së parë Botërore të mbajtur në Lindjen e Mesme, kur Kupa e Azisë e shtyrë nga viti 2023 fillon në mes të një ndryshimi sizmik në rendin global të futbollit.
E ushqyer nga shumat masive të parave saudite, pas investimeve të mëdha nga Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, Azia Perëndimore tani është pa dyshim fuqia financiare dominuese në këtë sport, por mbetet për t'u parë nëse kjo do të kalojë në epërsi edhe në fushë. Katari hyn në turne si kampion në fuqi pasi fitoi titullin e parë para pesë vjetësh me një fitore befasuese ndaj Japonisë – kampiones së katërfishtë – në finalen e luajtur në Abu Dabi.
Pas tërheqjes së Kinës si mikpritëse e Kupës së Azisë për shkak të politikës së saj të rreptë “zero-COVID”, Katari tani do të organizojë turneun për herë të tretë në historinë e tij 68-vjeçare. Nxitimi i Kinës për të qenë në qendër të vëmendjes në futboll është zbehur që kur fitoi të drejtat e organizimit dhe Arabia Saudite është shfaqur si një nga forcat më të mëdha në këtë lojë. Të inkurajuar nga suksesi i Katarit në pritjen e edicionit të vitit 2022, sauditët dolën si kandidatët e vetëm për organizimin e Kupës së Botës 2034, pasi ka organizuar tashmë Kupën e Botës për Klube. Arabia Saudite fitoi të drejtat për të pritur Kupën Aziatike të vitit 2027. Këto lëvizje kanë ardhur pasi klubet nga Arabia Saudite rekrutuan numër të madh të lojtarëve nga Evropa, të udhëhequr nga transferimi i Cristiano Ronaldos. Arabia ka lënë tërësisht nën hije fqinjët.
Me shumë prej lojtarëve të tij kryesorë që kanë zbarkuar në Arabinë Saudite, ish-selektori i Italisë, Roberto Mancini, ndërpreu punën e tij me italianët për ta udhëhequr Përfaqësuesen e Arabisë Saudite. Nën drejtimin e Mancinit, Arabia Saudite synon titullin e parë të Kupës së Azisë që nga viti 1996. Katari do të jetë i përkushtuar për të zhdukur kujtimin e fushatës së mjerueshme në Kupën e Botës, por përgatitjet e nikoqirëve janë goditur nga largimi i trajnerit Carlos Queiroz, i cili u largua muajin e kaluar pas një viti me rezultate të përziera. Katari përballet me Libanin të premten në ndeshjen hapëse të edicionit të 18-të të kampionatit kontinental në stadiumin “Lusail”, në të cilin Argjentina e mposhti Francën në finalen e Botërorit, në dhjetor të vitit 2022.
Ndërsa vendet e Gjirit mund të jenë në gjendje të pretendojnë epërsinë e tyre në infrastrukturën sportive moderne, Azia Lindore mbetet shtëpia e pjesës më të madhe të ekipeve favorite të kontinentit. Japonia do ta nisë turneun si favorite, pas vendimit për të mbajtur trajnerin Hajime Moriyasu duke siguruar vazhdimësinë e stërvitjes nën drejtimin e tij. Moriyasu, duke kërkuar të bëhet njeriu i parë që fiton titullin aziatik si lojtar dhe si trajner, pati fitore mbresëlënëse ndaj Spanjës dhe Gjermanisë në Kupën e Botës dhe mbikëqyri një triumf 4:1 ndaj gjermanëve në një miqësore në shtator.
Trajneri Juergen Klinsmann nuk e ka fshehur dëshirën e tij për t'i dhënë fund pritjes 64-vjeçare të Koresë së Jugut për titullin e Azisë dhe fituesi gjerman i Kupës së Botës do të mbështetet në kapitenin Son Heung-min për ti dhënë fund pritjes së gjatë.
Irani, një fuqi shumëvjeçare aziatike, arriti në gjysmëfinale në vitin 2019 nën drejtimin e Queirozit, ndërsa selektori Amir Ghalenoei ka një skuadër me përvojë dhe lojtarë si Ehsan Hajsafi, Alireza Jahanbakhsh dhe Mehdi Taremi, të cilët bëjnë karrierë në Evropë.
Edhe
Pse paratë nuk sollën suksesin në Botëror për Arabinë e Katarin?
Kualifikimi i Australisë në 1/8 e finales në Botërorin e fundit është dëshmi se bëhet fjalë për një ekip të fortë i cili sfidon një titull tjetër të Azisë pas triumfit në vitin 2015.
Kina ende nuk ka skuadër që të përmbushë ambiciet e saj, ndërsa vendi më i populluar në botë, India, do të përfaqësohet, por ka shumë pak gjasa që të avancojë nga faza e parë.
Palestina arriti të kualifikohej në turneun me 24 ekipe, pavarësisht sfidave të shumta me të cilat përballet dhe ka të ngjarë të tërheqë një mbështetje të madhe në Katar, ndërsa lufta në Gaza vazhdon.