Katari ka avancuar në finale të Kupës së Azisë pas triumfit ndaj Iranit në gjysmëfinale të turneut. Katari në stadiumin “Al Thumama” të Dohas të mërkurën në mbrëmje, fitoi me rezultatin 3:2. Tani synon që ta mbrojë trofeun e fituar në vitin 2019. Sardar Azmoun shënoi për Iranin në minutën e katërt.
Megjithatë, nikoqiri reagoi me dy gola të shpejtë. Në minutën e 17-të i barazoi shifrat me Jassem Abdulsallam, kurse në minutën e 43-të kaloi në epërsi 2:1, pasi shënoi sulmuesi Akram Afif. Alireza Jahanbakhsh i barazoi shifrat në 2:2 në minutën e 51-të.
Tetë minuta para fundit, Almoez Ali shënoi për 3:2 dhe për kalimin e Katarit në finale. Në minutën e tretë të kohës shtesë, Irani mbeti pa Shoja Khalilzadeh, që u përjashtua direkt me të kuq. Në finalen e së shtunës, Katari do të luajë kundër Jordanisë. Finalja zhvillohet në stadiumin “Lusail”.