Sport

Tifozët mësohen me një Kupë Botërore pa birrë

Duhet të jemi të qartë: ata donin patjetër birrë.

Kështu që një grup burrash nga Nottinghamshire, Angli – veteranë të ndeshjeve të futbollit në shtëpi – u tërbuan kur zbuluan se asnjë lloj birre nuk do të shitej deri në fundin e pjesës së parë të ndeshjes Brazili – Kroacia, në zonën kryesore të tifozëve në Doha. Është një nga vendet e pakta ku tifozët mund të pinë alkool në Kupën e Botës.

Edhe pse ishin të zemëruar, tifozët me kalimin e kohës u pajtuan me faktin se duhej t’i respektonin rregullat e organizatorit të Kampionatit Botëror.

“Është e pazakontë, por jemi përshtatur”, pranoi Mark Walker.

Një nga miqtë e tij sugjeroi se mungesa e alkoolit bëri të mundur që gratë dhe fëmijët vendës të merrnin pjesë në ndeshjet e turneut të Katarit. Në fakt, të gjithë janë përshtatur, por jo se kishin një zgjedhje. Tifozët mund të konsumojnë alkool para ndonjë ndeshjeje. Këtë mund ta bëjnë në ndonjë bar hoteli, megjithëse pijet janë të shtrenjta. Të tjerë janë të kënaqur me përvojën pa alkool, duke thënë se mungesa e tifozëve të dehur në stadium ose në rrugë e bën Kupën e Botës më të sigurt dhe më të lehtë për t'u shijuar. Ka dukshëm më pak ngacmime ndaj grave.

Shitja e alkoolit është shumë e kufizuar në Katar. Lejohet vetëm në disa bare hotelesh dhe restorante të destinuara për të huajt. Për Kupën e Botës, Katari ka krijuar zona tifozësh rreth Dohas, ku tifozët mund të shikojnë lojërat në ekranet e mëdha dhe ku shërbehet birrë. Por edhe atje birra shitet me leje të veçantë, larg ushqimeve dhe pijeve të tjera dhe jo para pushimit të çdo ndeshjeje. Në një vendim të minutës së fundit, pak para fillimit të turneut, Katari ndaloi shitjen e birrës nëpër stadiume.

“Souq Waqif”, tregu historik i rinovuar i Dohas, është shfaqur si qendra e festave pa alkool e Kupës së Botës. Një zonë këmbësore me rrugica të mbushura me dyqane dhe restorante – ku pothuajse asnjëri nuk shërben alkool - është një nga hapësirat e pakta publike në kryeqytetin e Katarit, një qytet me autostrada, rrokaqiej dhe komplekse banimi. Çdo natë dhjetëra mijëra tifozë grumbullohen dhe kalojnë kohën duke kënduar dhe duke valëvitur flamuj.

“Nuk ka alkool këtu, por është ende një kohë e mirë”, tha Sarah Moore, një tifoze e Anglisë.

Lana Halaseh, një grua jordaneze që solli tre fëmijët në Kupën e Botës, tha se atmosfera është miqësore me familjen.

“Fakti që nuk ka alkool ndoshta e bën më të qetë për fëmijët. Nuk do të ketë asnjë problem”, tha ajo.

Shkëmbimi kulturor është i vendosur sipas kushteve të Katarit. Qasja e izolimit të alkoolit në Kupën e Botës pasqyron mënyrën se si Katari është përballur me zgjerimin e furishëm në dekadat e fundit. Shteti e ndan shoqërinë për të mbajtur çdo sektor në vendin e vet. Është e dukshme në Doha, ku popullsia e vogël e Katarit prej rreth 300.000 banorësh jeton në komplekse vilash të mëdha, të ndara nga popullsia e huaj profesionale në lagjet e sapondërtuara.

Rreth dy milionë punëtorë emigrantë, kryesisht nga Azia Jugore, Afrika dhe Filipinet, jetojnë zakonisht jashtë syve, në periferi të qytetit në strehimoret e kompanive dhe kampet e punës, ku grupet e të drejtave kanë bërë presion prej kohësh për kushte më të mira.

Edhe me alkoolin e kufizuar, Katari ka pasur një tronditje të vogël kulturore. Mohammed Al-Kuwari, një inxhinier 28-vjeçar nga Katari, tha se gjëja më e çuditshme ishte nuhatja e birrës në zonat e tifozëve. “Kurrë nuk e nuhat birrën në Katar në publik”, tha ai duke qeshur. "Është e pamundur, nuk mund të ndodhë kurrë”.

Ai tha se ishte mirënjohës që mund të sillte gruan dhe fëmijët në stadium pa zhurmën e tifozëve të dehur.

“Pse të duhet birra gjatë lojës?”, pyeti miku i tij, Abdullah Laangawi, në stadiumin “Lusail”. “Ju jeni këtu për sport. Nëse keni nevojë për të pirë, bëjeni më parë në një bar”.

Megjithatë, disa tifozë të huaj ende nuk janë pajtuar me faktin se alkooli është i kufizuar në turne.

“Është një problem i madh – për lirinë! Ne kemi nevojë për liri! Është mungesë respekti për futbollin,” tha Mauro Rama, një argjentinas.

Ai sapo kishte blerë një “Pepsi” dhe nuk kishte lidhje me birrën “Budweiser” pa alkool që ofrohej.

“Ne kemi nevojë për birrë për t'u çlodhur. Ka shumë tensione në këto lojëra”, tha miku i tij, Matias Falcone.

Në zonën e tifozëve, para fillimit të ndeshjes Brazili - Kroacia, disa njerëz qëndruan para vendshitjes së birrës, e cila ende nuk ishte hapur. Ata po përballeshin me realitetin se kishin një pjesë loje për të pritur para se të arrinin në rreshtin e ndriçuar prej më shumë se 50 frigoriferësh të kuq të pajisur me Budweiser.

Një grup prej 10 kushërinjsh nga India, të cilët kishin ardhur së bashku në Doha për Kupën e Botës, planifikuan të pinin birrë në zonën e tifozëve gjatë ndeshjes së parë të ditës përpara se të shkonin në stadium për të dytën. Ata prisnin rreth shtandit të pahapur, duke kaluar nëpër fazat e mungesës së birrës.

“Kjo nuk mund të jetë e drejtë, duhet të ketë diku tjetër që shitet tani”, tha njëri.

Kufizimet e alkoolit japin një atmosferë më familjare, pranuan ata.

“Ju e kuptoni se mënyra tradicionale për të shijuar lojën nuk duhet të jetë e vetmja mënyrë”, tha Dileep Nayathil.