Sport

Katari shpreson të tregojë pasionin për futbollin si nikoqir i Kupës së Botës

Katari bëri një premtim për tifozët 12 vjet më parë, kur filloi fushatën për të organizuar Kupën e Botës: ne e duam futbollin ashtu si ju, kështu që ejani dhe shijojeni atë me ne. Mesazhi pranonte se do të kishte skeptikë se një vend i vogël - skuadra e të cilit nuk kishte qenë kurrë në Kupë Bote dhe nuk luajti ndeshje kualifikuese deri në vitin 1977 - mund të përputhej me pasionin për ngjarjen më të madhe të futbollit, pasion i shfaqur nga mikpritësi i fundit atëbotë, Gjermania në vitin 2006.

Ky skepticizëm është ende për Katarin, ndonëse turneu i madh i futbollit nis më 20 nëntor. Për t’i hequr dyshimet, Katari ka vendosur që të paguajë shpenzimet për rreth 1500 fansa që të vizitojnë vendin dhe të jenë influencues të mediave sociale. Tifozët e ftuar do të shkojnë në ceremoninë e hapjes të veshur me ngjyrat e çdo skuadre dhe do të këndojnë këngë të miratuara përpara se Katari të luajë me Ekuadorin në ndeshjen e parë më 20 nëntor. Më pas do të qëndrojnë për të paktën dy javë duke postuar përmbajtje pozitive në rrjetet sociale, ndërsa raportojnë gjithçka tek organizatorët e turneut.

Në Katar janë të bindur se me organizimin e Kupës së Botës do të merret edhe kultura e futbollit. Kështu insiston Hamad Al Amari, i cili shikon të gjitha ndeshjet e Premier Leagues.

“I gjithë ky vend do të kthehet në një festival dhe të gjithë jemi të vetëdijshëm për këtë”, tha Hamad Al Amari. “Nuk ka ku të shkojë më mirë se kjo”.

Katari do të testohet nëse do të jetë në gjendje të përballojë 1.2 milionë vizitorët që priten gjatë turneut 29-ditor. Disa do ta gjejnë veten duke parë ndeshje në qendra tregtare, në lokale pa alkool dhe disa do të jenë të pranishëm në tribuna.

“Njerëzit që duan të pinë një litër birrë shkojnë në hotele. Ka bare sportive që e kuptojnë këtë”, tha ai. “Atje një shishe birrë mund të kushtojë rreth 15 dollarë”.

“Budweiser”, birra sponsorisuese në Kupën e Botës, do të shërbehet gjatë gjithë mbrëmjes në Festivalin zyrtare të tifozëve të FIFA-s, në një zonë me kapacitet 40,000 persona në qendër të parkut Al Bidda. Është gjithashtu vendi ku Al Amari do të punojë si prezantues. Parku dhe zona e gjerë ujore Corniche, tashmë e mbyllur për trafik, do të jenë qendra për shumë tifozë.

Jo të gjitha kërkesat për bileta do të vijnë nga tifozët evropianë, të paktën deri në raundet e eliminimit, kur zakonisht fillon entuziazmi. Federata belge e futbollit ka raportuar se ka shitur qindra, jo mijëra, bileta nga 8 për qind e kapacitetit të stadiumit që çdo ekip merr. Në Zvicër, një nga vendet më të pasura evropiane, rreth gjysma e pjesës së saj - 1500 bileta - janë shitur për ndeshjet kundër Kamerunit dhe Serbisë. Më shumë, por jo të gjitha, u blenë për lojën magjepsëse kundër Brazilit. Federata e Futbollit të Zvicrës përmendi si pengesë koston e udhëtimit në Doha, zgjedhjen e kufizuar të hoteleve dhe debatin rreth historisë së të drejtave të njeriut në Katar.

Joshja dhe një aventurë e Kupës së Botës ende shtyn shumë tifozë të investojnë kohë dhe para. Në Argjentinë - shtëpia e ikonës së futbollit Lionel Messi - tifozët përballen me dy pengesa për të qenë në Katar: distancën dhe marrjen e disa dollarëve amerikanë. Një paketë turistike kushton rreth 10,000 dollarë për fluturime, akomodim dhe bileta për tri ndeshje në grup. Pavarësisht kësaj, Osvaldo Santander dhe djali i tij Juliani do të udhëtojnë në Kupën e tyre të tretë të Botës me kursimet e tyre, shitjen e banderolave dhe suksesit në një shfaqje televizive këtë vit. Osvaldo fitoi rreth 6500 dollarë me supozimin më të mirë sesa zgjat filmi Shrek.

“Unë thashë 126 minuta dhe ishte 93. Unë fitova për shkak të faktit se isha më i afërti”, tha ai.

Santander gjithashtu shet banderola të ekipit për të ndihmuar financimin e marrjes me qira të një apartamenti me miqtë e tjerë për të qëndruar në Doha për një muaj.

“Ne jemi fansa shumë të pasionuar, të çmendur”, tha Santander. “Ne mendojmë se kemi për detyrë të shfaqim pankartat tona, me emrin tonë, qytetin tonë, idhujt tanë të mëdhenj, Leo Messi dhe Diego Maradona”.

Santander dhe djali i tij nuk kanë ende bileta për ndeshjet e Argjentinës. Ata planifikojnë të shesin biletat që morën për ndeshjet e skuadrave të tjera, duke përfshirë atë të Brazilit, për të paguar vendet në ndeshjet që duan.

Përkushtimi i tyre është tipik për tifozët e Kupës së Botës, të cilët gjithashtu mund të jenë të zhurmshëm. A do ta shijojnë njerëzit e Katarit një sjellje të tillë në vendin e tyre social konservator?

“Ne e dimë që jemi pakicë në vendin tonë”, tha Al Amari.