Pas fazës kualifikuese të garës së basketbollit “Red Bull Reign”, janë mësuar tetë ekipet që do të paraqiten në finalen kombëtare që do të mbahet më 26 maj (e shtunë) në sheshin “Zahir Pajaziti” të Prishtinës, raporton “Koha Ditore”.
Faza kualifikuese e kësaj gare që po mbahet për herë të parë, është përbërë nga dy raunde, të cilat janë zhvilluar në Prizren dhe Prishtinë.
Kështu që, në finalen kombëtare janë kualifikuar katër ekipe nga Prizreni: And 1, 04, Aolenato, Thug Life dhe katër ekipe tjera nga Prishtina: Shaolinat, Bario-B, First-Fit dhe Che Bar. Këto janë ekipet, të cilat kanë shënuar më së shumti pikë gjatë raundeve të fazës kualifikuese.
“Red Bull Reign” është garë e veçantë dhe dallon prej të tjerave për shkak se përdor një sistem unik të rregullave, duke u bazuar në rregulloren e FIBA-së, për sistemin e veçantë të vlerësimit, sistemin kumulativ: ekipi me më së shumti pikë vazhdon përpara.
Ekipi që triumfon në finalen kombëtare që nis prej orës 12:00, do të udhëtoj drejt Washingtonit për të përfaqësuar Kosovën në finalen botërore të Goodman League.