Skuadra e Sigal Prishtinës ka triumfuar ndaj Bashkimit në ndeshjen e xhiros së pestë të Superligës së Kosovës në basketboll. Në ndeshjen e luajtur të shtunën në kryeqytet, Prishtina triumfoi me rezultatin 87:80.
Për Prishtinën, kjo është fitorja e tretë në katër ndeshje të luajtura këtë edicion, ndërsa Bashkimi regjistroi humbjen e tretë.
Me këtë triumf, Prishtina ka tubuar shtatë pikë, sa i ka edhe Bashkimi, por që ka një ndeshje më shumë të zhvilluar.
Në fakt, Prishtina këtë fitore e siguroi vetëm në çerekun e fundit. Në tri periudhat e para, Bashkimi ishte për në nuancë ekip më i mirë dhe vazhdimisht ishte në epërsi. Megjithatë, në dhjetë minutat e fundit të ndeshjes, Prishtina reagoi dhe arriti ta fitojë këtë përballje.
Prishtina në çerekun e katërt u fut me disavantazh prej pesë pikëve (63:56), por këtë periudhë e fitoi me shifrat 29:17 për ta regjistruar fitoren e radhës.
Derrick Wilson me 19 pikë të shënuara ishte më i dalluari te Prishtina, i ndjekur nga Jan Palokaj (18), Dustin Thomas (16) e Dardan Berisha (14).
Te Bashkimi, Altin Morina dhe Curtis Jones ishin më efikasit. Morina ndeshjen e mbylli me 17 pikë të shënuara, ndërsa Jones shtoi 15 sosh.