Sport

Bashkimi fiton ndeshje të rëndësishme ndaj Sigal Prishtinës

Bashkimi e ka fituar ndeshjen derbi dhe shumë dramatike përballë Sigal Prishtinës.

Të mërkurën mbrëma në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, Bashkimi fitoi fare në fund ndaj “bardhekaltërve” me rezultatin 87:78.

Ndeshja i ka takuar xhiros së 26-të të Superligës së Kosovës në basketboll, ndërsa për Bashkimin ishte fitorja e tretë rresht.

Sigal Prishtina ishte më e mirë në pjesën e parë duke i fituar të dy çerekët.

Të parin e fitoi me rezultatin 23:20, ndërsa të dytin me shifrat 24:23, kurse në pushim shkoi me katër pikë dallim.

Prizrenasit u këndellën në çerekun e tretë të cilin e fituan me rezultatin 25:14. Dhjetë minutëshi i fundit ishte dramatik. Prishtina kishte epërsi 77:76 dy minuta para fundit.

Por, pikët e Erik Copesit, Altin Morinës Isiah Umipigut e Lejson Zeqirit, bënë që Bashkimi t’i gëzohet fitores në fund me nëntë pikë dallim.

Zeqiri ishte më i dalluari në fitore me 26 pikë e nëntë kërcime. Kapiteni Morina shtoi 16 pikë, shtatë kërcime e katër asistime, kurse Jalan McCloud, kontribuoi me 12 pikë, katër kërcime e shtatë asistime.

Sigal Prishtinës nuk i ndihmuan 17 pikët, tetë kërcimet e katër asistimet e Derrick Wilsonit.

Me këtë fitore, Bashkimi del në pozitën e pestë në tabelë me 37 pikë, aq sa ka edhe Vëllaznimi në vendin e gjashtë.

Deri në fund të kampionatit të rregullt kanë mbetur edhe dy xhiro për t’u zhvilluar. Më pas luhen ndeshjet e plejofit.