Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Protesta në gjithë Kosovën, kërkohet drejtësi pas vrasjes së Arlinda Zekajt

Fotografi nga protesta pas vrasjes së Arlinda Zekajt

Foto: Driton Paçarada

“Gjumi s’ka me ju marrë” – protestë në Pejë pas vrasjes së Arlinda Zekajt

3 min. më parë / 30 tet 2026 12:21 Nga: Donisa Fazliu
protesta

Sot në Pejë po protestohet pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të kësaj komune me 25 tetor.
Protestuesit kanë kërkuar drejtësi për vrasjen të cilën dyshohet se e kreu ish-kunati i Zekajt, Albert Sylaj i cili është arrestuar dhe gjendet në paraburgim.

Pjesmarës në protestë janë edhe familjarë të Arlinda Zekajt.

Njëra prej organizatoreve të protestës ka thënë se të gjitha institucionet kanë dështuar ta mbrojnë jetën e Arlindës. 

“Ne sot si qytetarë e bashkëqytetarë të Arlindës kemi ardhur te secili institucion për të kërkuar drejtësi, prandaj marshi do të fillojë nga Komuna e Pejës, do të vazhdojë të Qendra për Punë Sociale, te Policia dhe Gjykata e do të përfundojë të Prokuroria”, është shprehur ajo. 

Protestuesit kanë hedhur tymuese e kanë brohoritur “Edhe sa gra të vrara”.

Protesta janë paralajmëruar se do të mbahen edhe në Mitrovicë nga ora 13:00 si dhe në Prishtinë nga ora 16:00. 

Arlinda Zekaj, 49-vjeçare, u vra më 25 tetor dhe si i dyshuar për vrasje është arrestuar ish-kunati i saj, Albert Sylaj, Ndërkohë që ish-bashkëshorti i Zekajt, Jeton Sylaj, ditën e vrasjes ishte ndaluar nga organet e rendit pasi Zekaj e kishte denoncuar për mosrespektim të urdhrit mbrojtës.

Vetëm tri ditë para se të vritej Zekaj i kishte shkruar letër kryeprokurores së Pejës duke i treguar se jeta e saj po rrezikohej.