Gjykata Supreme e Kosovës e ka shpallur të paligjshëm dhe e ka shfuqizuar një dispozitë të Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila përcaktonte se patentë-shoferi mund t'i kthehej qytetarit vetëm pas përfundimit të masës mbrojtëse të ndalimit të drejtimit të automjetit.
Bëhet fjalë për paragrafin 3 të nenit 17 të Udhëzimit Administrativ Nr. 05/2023 për Procedurat e Kundërvajtjes, të cilin Gjykata Supreme e ka shpallur të paligjshëm.
Vendimi është marrë pas padisë së 28 paditësve kundër Ministrisë së Punëve të Brendshme – Policisë së Kosovës, me ç'rast Gjykata ka aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë për shfuqizimin e aktit nënligjor.
Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme, marrja e përkohshme e patentë-shoferit nga Policia dhe masa mbrojtëse e ndalimit të drejtimit të automjetit janë dy institute të ndryshme juridike dhe nuk duhet të ngatërrohen me njëra-tjetrën.
Duke u bazuar në Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor, Gjykata ka konstatuar se Policia mund ta mbajë përkohësisht patentë-shoferin për një periudhë jo më të gjatë se tetë ditë.
“Për rrjedhojë, kushtëzimi i tërheqjes së dokumentit me përfundimin e masës mbrojtëse, e cila mund të zgjasë tre, gjashtë apo 12 muaj, është në kundërshtim me ligjin. Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme, një akt nënligjor nuk mund të zgjerojë kompetencat e përcaktuara me ligj dhe as të vendosë kufizime shtesë që nuk kanë bazë ligjore”, thuhet në komunikatë.
Ndërkaq, Gjykata Supreme ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për shfuqizimin e paragrafëve 1 dhe 2 të nenit 17 të të njëjtit udhëzim administrativ.
Këto dy dispozita janë vlerësuar si procedurale dhe organizative, pasi përcaktojnë njësinë policore përgjegjëse për administrimin e patentë-shoferit dhe detyrimin për lëshimin e vërtetimit për marrjen e përkohshme të tij, pa tejkaluar autorizimet e përcaktuara me ligj.