Hajvali, 6 qershor – Ka më shumë se dhjetë ditë që Përfaqësuesja U21 e Kosovës në futboll ka nisur përgatitjet për kualifikimet e “Euro 2023”.
Ndeshjen e parë në këto kualifikime Kosova do ta luaj me Andorrën, duel që zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë të martën prej orës 20:00. “Dardanët” e rinj insistojnë se janë gati për të startuar me fitore në kualifikime. Kosova është pjesë e Grupit G të cilin e përbëjnë edhe Shqipëria, Anglia, Çekia e Sllovenia.
Synimi fillestar i Kosovës U21 është që të startoj me fitore në eliminatore. Përzgjedhësi Michael Nees në këtë grumbullim, që ka nisur më 25 maj, ka ftuar 31 futbollistë. Lista do të reduktohet në 24 lojtarë para ndeshjes me Andorrën.
Andorra tashmë ka një ndeshje në kualifikime, pësoi humbje 3:0 në shtëpi nga Shqipëria.
Për t’u bërë gati për duelin me Andorrën, Kosova U21 ka luajtur miqësore ditë më parë me skuadrën e Gjilanit, duke barazuar 2:2.
“Ka disa ditë që i kemi nisur përgatitjet dhe e kemi njohur njëri-tjetrin. Deri më tani gjithçka ka shkuar mirë dhe jemi duke u bërë gati për ndeshjen me Andorrën. E kemi parasysh që nuk do të jetë lehtë por synimi ynë është që të startojmë me fitore. Pra do të futemi për rezultat pozitiv”, ka thënë Diamant Berisha, që është pjesë e Schalkes dhe luan në krahun e majtë të sulmit.
Optimist për fitore kundër Andorrës është shprehur edhe mbrojtësi i krahut të djathtë, Edvin Kurtulush, që ka insistuar se kundërshtari nuk bën assesi të nënçmohet. Ai ka thënë se Kosova ka gjasa të mira për të startuar me fitore në këto eliminatore dhe të paralajmëroj kundërshtarët tjerë.
“Shpresoj të arrijmë fitore në këtë takim. Jam optimist se do të kemi një paraqitje të mirë, por nuk duhet assesi ta nënçmojmë Andorrën. Ka një ekip të mirë dhe duhet të tregohemi të kujdesshëm. Do të japim maksimumin për fitore, pasi do të ishte një start shumë i mirë në këto eliminatore”, është shprehur Kurtulush.
“Besoj se kemi shanse të mira për fitore, nëse e shfaqim në fushë atë që kemi stërvitur deri më tani. Do të ishte shumë pozitive të startojmë me fitore eliminatoret pasi do të motivoheshim për ndeshjet tjera”.
Atmosfera brenda ekipit që të dielën u stërvit në Drenas, ishte e mirë. Optimizmi mbretëronte te lojtarët, por edhe te stafi i Përfaqësueses U21.
Mesfushori i Prishtinës, Qëndrim Zyba, e konfirmoi një gjë të tillë.
“Ne futemi në secilën ndeshje për fitore, pavarësisht kundërshtarit që e kemi përballë. Shpresojmë të marrim pikët e plota dhe besoj në fitore pasi jemi përgatitur mirë deri më tani. Pres që gjithë futbollistët të japim maksimumin për triumfin e parë në këto eliminatore. Jemi të gatshëm dhe besoj në ekipin”, u shpreh Zyba.
Njëri prej futbollistëve që është ftuar për herë të parë te Kosova U21 është sulmuesi Albion Rrahmani. Rrahmani sezonin e fundit ka qenë pjesë e Malishevës, ekip me të cilin është inkuadruar në Superligën e Kosovës. Ai ishte ndër futbollistët më të dalluar te Malisheva, gjë që i ka siguruar ftesën te Kosova U21.
“Jam shumë i lumtur që jam pjesë e Kosovës dhe do ta përfaqësoj vendin tim. E kam pritur këtë ftesë pas lojërave të mira dhe jam shumë krenar. Shpresoj të jap maksimumin dhe ta ndihmoj Kosovën për ta fituar ndeshjen e parë kualifikuese”, është shprehur Rrahmani.
Sulmuesi i Foggias, që tashmë ka dy paraqitje me Kosovën U21, Rilind Nivokazi, shpreson të shënojë gol në ndeshjen e parë kualifikuese. Nivokazi para se të zgjedhë Kosovën, ka luajtur për gjeneratat e reja të Italisë.
“E kemi shfrytëzuar kohën që jemi së bashku për t’u përgatitur sa ma mirë. Jemi një grup i ri lojtarësh dhe na është dashur pak kohë që ta njohim njëri-tjetrin. Personalisht deri më tani gjithçka ka shkuar shumë mirë. Kemi stërvitur fort dhe jemi gati për ndeshjen e parë me Andorrën. Është një kundërshtar i papërshtatshëm dhe ne duhet të japim më të mirën nga vetja për të fituar”, është shprehur Nivokazi i Foggias.