Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

“Dardanët” e rinj premtojnë fitore ndaj Andorrës

Përzgjedhësi i Përfaqësueses U21 të Kosovës në futboll, gjermani Michael Nees insiston se ekipi i tij është plotësisht gati për ndeshjen e parë eliminatore për “Euro 2023” kundër Andorrës.

“Dardanët” e rinj të hënën mbrëma kanë mbajtur stërvitjen e fundit para duelit me Andorrën dhe Nees pret paraqitje të mirë në këtë ndeshje, të cilën e vlerëson shumë të rëndësishme.

Kosova U21 do të përballet me Andorrën të martën mbrëma, prej orës 20:00, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Kjo ndeshje i takon Grupit G, të cilin e përbëjnë edhe Shqipëria, Anglia, Çekia e Sllovenia.

Përderisa për Kosovën kjo është ndeshja e parë kualifikuese, Andorra do të luajë ndeshjen e dytë. Javën e shkuar Andorra pësoi humbje 3:0 në shtëpi nga Shqipëria.

Nees i ka nisur përgatitjet për këtë ndeshje para dy javëve dhe është shumë i kënaqur me atë që kanë treguar futbollistët, përfshirë edhe në dy ndeshjet miqësore me 2 Korrikun e Gjilanin.

“Po, mendoj se jemi të gatshëm për ndeshjen e parë. Sepse jemi përgatitur për dy javë. Kemi stërvitur mirë dhe kemi krijuar një koncept të lojës. Në ndeshje pres të dëshmojmë këtë. I kemi luajtur dy miqësore dhe ishin shumë të rëndësishme, me 2 Korrikun dhe Gjilanin, në mënyrë që t’ia japim secilit lojtar rastin të dëshmohet dhe të jemi të komponuar si ekip”, është shprehur Nees në konferencën për shtyp.

“Ende nuk e kam vendosur formacionin, pasi një lojtar është në dyshim. E kam idenë se si do të luajmë dhe pak a shumë cili është formacioni, por do të presim deri para ndeshjes”.

Për dallim prej përzgjedhësit Nees, që është treguar i matur në prag të ndeshjes me Andorrën, futbollistët Edvin Kurtulush e Leart Sadriu kanë shprehur optimizmin e tyre. Qendërmbrojtësi Sadriu është i bindur se Kosova U21 do t’i nisë eliminatoret me fitore. Ai sezonin e shkuar ishte pjesë e Skënderbeut derisa me Kosovën U21 ka pesë ndeshje të zhvilluara deri më tani.

“Premtoj se angazhimi në këtë ndeshje nuk do të mungojë prej asnjërit nga futbollistët. Do të japim gjithçka nga vetja për të treguar lojë të mirë, që është me rëndësi. Jemi të bindur në fitore”, porositi Sadriu.

Ndërkohë, Kurtulush, që ka tri ndeshje me Kosovën U21, ka thënë se ekipi është përgatitur mirë gjatë kampit stërvitor. Megjithatë, ai ka paralajmëruar se Andorra nuk bën të nënçmohet, duke shtuar se kësaj ndeshjeje duhet t’i qasen me seriozitetin më të madh.

“Besoj në një rezultat të mirë, pra fitore. Jemi të përgatitur mirë. Pres të kemi një paraqitje të mirë dhe të mos e nënçmojmë assesi kundërshtarin. Atmosfera në ekip është shumë e mirë dhe kjo është shumë pozitive për ndeshjen e parë”, është shprehur Kurtulush.

Artikuj të ngjashëm