Gjashtë gravura të vjedhura të Pablo Picassos janë gjetur në gjendje të sigurt në një apartament në Rivierën Franceze. Sipas hetuesve, veprat ishin fshehur nën një grumbull rrobash dhe kuti veglash, jo shumë larg restorantit nga i cili ishin vjedhur. Vjedhja kishte ndodhur pothuajse saktësisht një muaj përpara se hetuesit francezë t’i gjenin gravurat, të cilat zakonisht ekspozohen në restorantin “L’Amandier”, që ndodhet në Mougins, fshatin ku Picasso jetoi deri në vdekjen e tij në vitin 1973.
Rreth orës 2 të mëngjesit, më 1 tetor, dy burra, të dy të veshur me doreza dhe maska, hynë në restorant përmes një dere dhe i vodhën gravurat për më pak se një minutë. Në mëngjes, pronari i restorantit, Matthieu Autant, zbuloi se veprat mungonin dhe menjëherë njoftoi autoritetet lokale.
Media belge “La Libre” raportoi se gravurat kishin një vlerë prej pak më shumë se 112 mijë dollarësh – një shumë jo edhe aq e madhe, duke pasur parasysh çmimet e veprave të Picassos. Megjithatë, duke folur për gazetën franceze “Le Monde”, nënkoloneli Guillaume Plaidy ka thënë se veprat “nuk ishin të lehta për t’u shitur”, veçanërisht për shkak se autorëve u mungonte njohuria e nevojshme për të gjetur blerës për to. Përkundrazi, sipas Plaidyt, këta persona “ishin më shumë të njohur për vepra penale që lidhen me drogën dhe armët”.
Megjithatë, Plaidy shtoi: “Duhej të vepronim shpejt: vepra të tilla bartin një rrezik të madh për t’u rishitur dhe për të mos u kthyer më kurrë në tregun e artit”.
Më 3 nëntor, 40 pjesëtarë të xhandarmërisë kontrolluan dy apartamente dhe gjatë këtij operacioni gjetën edhe veprat e vjedhura. Më pas u arrestuan shtatë persona, të gjithë të moshës 18 deri në 30 vjeç. Sipas gazetës “Le Monde”, mes tyre ishin tre hajdutë dhe katër bashkëpunëtorë.
Edhe pse vjedhja e gravurave mund të konsiderohet relativisht e vogël, ajo tërhoqi vëmendjen për shkak se ndodhi në një periudhë kur vjedhjet e veprave të artit në Evropë kanë marrë vëmendje të shtuar. Pas grabitjes së bujshme në “Muzeun e Louvreit” në vitin 2025, vepra arti janë vjedhur edhe nga institucione të tjera, duke filluar nga Muzeu Renoir në Cagnes-sur-Mer të Francës e deri te Fondacioni Magnani Rocca, pranë Parmës në Itali.
Në Francë, konfiskimi i shpejtë i gravurave të Picassos duket se ka ngjallur shpresë.
“Jemi jashtëzakonisht të lumtura që arritëm t’i rikuperojmë; mendova se ato mund të kishin dalë tashmë jashtë vendit”, ka thënë Leisa Paoli, drejtuese e Muzeut të Artisteve në Mougins.