Sport

Serbët refuzojnë përballjen me Kosovën, gjejnë arsyetimin për t’i ikur dënimit

Edhe një herë volejbollistët nga Serbia kanë refuzuar të përballen me volejbollistët e Kosovës. Ndodhi kjo të dielën në Strumicë të Maqedonisë së Veriut, ku deri të dielën u zhvilluan kualifikimet e zonës ballkanike për Kampionatin Evropian të grupmoshës U18 për volejbollistë.

Kosova U18 dhe Serbia U18 është dashur të përballeshin për vendin e pestë në kualifikime. Por, ashtu si pritej, serbët nuk u paraqitën në sallë për ndeshje. Federata Evropiane e Volejbollit menjëherë e regjistroi ndeshjen me rezultatin zyrtar, 3:0 në sete, për Kosovën. Kështu Kosova U18 përfundoi e pesta, dhe sipas Federatës së Volejbollit të Kosovës ka avancuar tutje.

Image

Në Strumicë kanë garuar gjithsej gjashtë përfaqësuese të regjionit.

Kosova u mposht 3:0 nga Greqia dhe 3:0 nga Maqedonia e Veriut për të mbetur e fundit në Grupin A. Në Grupin B, Rumania, Turqia dhe Serbia kishin nga një fitore e një humbje. Por Serbia mbeti e treta në grup dhe është dashur të përballej me Kosovën për të shmangur vendin e fundit në kualifikime.

Serbia U18 të shtunën luajti ndeshje me Turqinë, ndërsa për ndeshjen e së dielës me Kosovën serbët gjetën arsyetimin.

Sipas Federatës së Volejbollit të Kosovës, arsyetimi zyrtar i Federatës serbe ishte se “nëntë lojtarë të Serbisë kanë qenë me temperaturë, që ua ka pamundësuar daljen në terren”.

Në Federatën e Volejbollit të Kosovës dyshojnë se arsyetimi i serbëve është i vërtetë.

“Duke pasur parasysh qasjen refuzuese të Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës, FVK-ja e konsideron të paqëndrueshëm arsyetimin e dhënë nga Federata serbe e Volejbollit dhe do të kërkojë nga CEV që Serbia të sanksionohet për këtë veprim. FVK-ja më shumë do t’i gëzohej suksesit të arritur në arenën sportive sesa rezultateve të vendosura ‘në tavolinë’. Kombëtarja jonë u paraqit në fushë, tregoi pjekuri për lakmi dhe nivel të lartë të profesionalizmit. Sporti duhet të krijojë ura bashkimi, e Serbia në këtë rast ka dëshmuar përmes veprimeve të kësaj natyre se akoma nuk e ka këtë vullnet e gatishmëri. U mbetet mekanizmave brenda BVA dhe CEV që ta hulumtojnë këtë veprim, për të cilin, bazuar nga hapat e ngjashëm edhe në të kaluarën, nënkuptohet si tendencë për ta shmangur duelin me Kosovën”, shkruan në njoftimin e Federatës kosovare të volejbollit.

FVK-ja e ka vlerësuar dinjitoze paraqitjen e Kosovës U18, ndërsa ka shkruar se është kaluar tutje në kualifikime. Në fakt, në dy ndeshjet Kosova U18 nuk e fitoi asnjë set, por aspekti politik, si zakonisht, do të mbulojë dështimin sportiv.

Federata e Volejbollit e Serbisë ende nuk ka lëshuar ndonjë njoftim për humbjen e ndeshjes me rezultatin zyrtar.

Nuk është hera e parë që serbët kanë refuzuar të përballen me Kosovën në volejboll. Kjo deri më tani ka ndodhur goxha shpesh në kampionate ballkanike, sidomos në volejbollin në rërë. Për shkak të mënyrës se si janë të organizuara garat në volejboll, sidomos në ngjarjet ballkanike, Kosova e Serbia duhet të përballen shpesh. Por në volejboll përgjegjësit janë kujdesur që dy përfaqësueset mos të jenë në grup, ndërsa edhe ballafaqimi për plasman kryesisht është shmangur.

Në volejbollin në rërë refuzimi i serbëve për t’u përballur me Kosovën ka kaluar pa pasoja. KOHA shumë shpesh ka kërkuar nga Unioni Ballkanik dhe Federata Evropiane të marrë ndonjë qëndrim për refuzimin e serbëve për përballje me Kosovën. Por nuk ka pranuar asnjëherë përgjigje.

Edhe refuzimi i së dielës i Serbisë me shumë gjasë do të kalojë pa pasoja. Ndikimi i serbëve në Federatën Evropiane (CEV) është goxha i madh. President i CEV-it është serbi Aleksandar Boriçiq.

Në kualifikime për Kampionat Evropian janë paraqitur edhe volejbollistet e Kosovës U18. Në Sofje të Bullgarisë, Kosova U18 fillimisht humbi 3:0 në sete nga Bullgaria U18. Pasi ishin vetëm dy përfaqësuese në grup, Kosova U18 kaloi në gjysmëfinale. Të shtunën humbi 3:0 në sete nga Turqia. Dy sete volejbollistet e Kosovës U18 i humbën me rezultat 25:12, ndërsa një me rezultatin 25:11.