Sport

Bojkotimi i ndeshjes me Kosovën nga volejbollistët serbë kalon pa dënime

Të dielën në Strumicë të Maqedonisë së Veriut është dashur të përballeshin përfaqësueset U18 të Kosovës dhe Serbisë në volejboll. Në sallë për ngrohje dolën volejbollistët e Kosovës, ndërsa, ashtu siç pritej, nuk u paraqitën volejbollistët e Serbisë.

Kosova U18 e fitoi ndeshjen me rezultatin zyrtar, 3:0, dhe avancoi në kualifikimet e mëtejme për Kampionatin Evropian. Serbia U18 humbi ndeshjen me rezultat zyrtar dhe u eliminua. Ky deri më tani është “dënimi” i vetëm për veprimin e përfaqësueses së Serbisë, përkatësisht Federatës së Volejbollit të Serbisë.

Ndeshja ishte e vlefshme për vendin e pestë në grupin ballkanik të kualifikimeve për Evropian. Derisa vendi i parë siguronte kualifikimin në Evropian, vendet dy, tre, katër e pesë mundësonin paraqitjen në kualifikimet e ardhshme. Jo edhe vendi i gjashtë. Kështu Kosova do të paraqitet në kualifikime në prill, ndërsa Serbia jo.

Kjo nuk është goditje e lehtë për përfaqësuesen e Serbisë. Volejbolli në vendin fqinj është goxha i zhvilluar dhe kalimi i kualifikimeve zakonisht nuk paraqet sfidë.

Por për t’iu përmbajtur qëndrimit për të mos luajtur me Kosovën, drejtuesit e Federatës së Volejbollit të Serbisë u pajtuan që Serbia U18 të eliminohej. Serbët kishin luajtur të shtunën pasdite, ndërsa për të dielën bojkotimin e ndeshjes e arsyetuan me temperaturën e lartë të nëntë lojtarëve. Natyrisht ky arsyetim nuk është i besueshëm për Federatën e Volejbollit të Kosovës, që ka kërkuar argumente për këtë pretendim nga Konfederata Evropiane e Volejbollit (CEV).

Por CEV ka heshtur. Dhe pritet që edhe ky rast të kalohet në heshtje, pa ndonjë dënim shtesë.

Edhe në të kaluarën ka pasur raste kur volejbollistët serbë, sidomos në volejbollin në rërë, kanë bojkotuar ndeshjet me Kosovën. Kjo ka ndodhur shpesh në kampionate ballkanike dhe dënime apo pasoja shtesë për serbët nuk ka pasur.

Kështu do të jetë edhe këtë herë. Në krye të CEV-it është serbi Aleksandar Boriçiq.

Në Federatën e Volejbollit të Serbisë nuk pranojnë përballjet me Kosovën, pasi kështu do ta pranonin realitetin – shtetin e Kosovës.

KOHA i është drejtuar disa herë CEV-it prej të dielës lidhur me ngjarjen në Strumicë. Më në fund mori një përgjigje të shkurtër të martën, në të cilën Konfederata Evropiane e Volejbollit arsyetohet.

“Raundi i parë i kualifikimet për të gjitha kampionatet evropiane të grupmoshave organizohet nga zona përkatëse, përkatësisht nga Asociacioni Ballkanik i Volejbollit për ngjarjen U18 të mbajtur javën e kaluar në Strumicë. Sipas rregullave të lojës, rezultati i ndeshjes është 3:0 në të mirë të Kosovës”, shkruan në përgjigjen e CEV-it, që ka konfirmuar se Kosova do të paraqitet në raundin e dytë të kualifikimeve së bashku me Greqinë, Turqinë dhe Maqedoninë e Veriut.

KOHA i ka shkruar edhe Asociacionit Ballkanik të Volejbollit, por nuk ka pranuar përgjigje.

Në Federatën e Volejbollit të Serbisë edhe të martën kanë thënë se ndeshja është anuluar për shkak se nëntë lojtarë të Serbisë ishin me temperaturë. Sipas Federatës serbe, mjeku përgjegjës dhe delegati kanë konfirmuar gjendjen shëndetësore të lojtarëve.

Për shkak se garat e volejbollit për përfaqësuese ndahen në zona, situata si ajo në Strumicë priten sërish. Në Sofje për pak u shmang një përballje e mundshme mes volejbollisteve të Kosovës dhe atyre të Serbisë në grupmoshën U18.

Në Ankara të Turqisë të martën kanë nisur kualifikimet për Kampionatin Evropian U20 për volejbolliste. Kosova është në grupin A. Të mërkurën luan me Rumaninë e të enjten me Turqinë. Serbia U20 është në grupin B dhe të martën fitoi 3:0 ndaj Greqisë. Të enjten luan me Malin e Zi.

Përgjegjësit kujdesen që Kosova e Serbia asnjëherë të mos jenë në grup të njëjtë. Por pas fazës grupore, përfaqësueset “kryqëzohen” dhe kjo solli situatën e së dielës në Strumicë. Nëse eventualisht ndodh në Ankara që Serbia e Kosova duhet të përballen pas fazës së grupeve, serbet sërish “do të sëmuren”. Dhe me shumë gjasë dënime nuk do të ketë.