Sport

Bosnja nuk lëshon vizat, Kosova mbetet jashtë Ballkanikut U21 në volejboll

Kampionatet ballkanike në volejboll vazhdojnë të jenë shumë problematike për Kosovën. Prej të mërkurës në Brçko të Bosnjë-Hercegovinës mbahet Kampionati Ballkanik U21 për volejbolliste. Federata e Volejbollit e Kosovës ka planifikuar ta dërgojë Përfaqësuesen e Kosovës në këtë ngjarje, por kjo, megjithatë, nuk do të ndodhë.

Delegacionit të Kosovës, që është dashur të udhëtonte për në Brçko, nuk i janë lëshuar viza për hyrje në Bosnjë-Hercegovinë. Këtë e ka bërë të ditur të martën pasdite FVK-ja.

Federata kosovare e ka vlerësuar skandaloze mbetjen jashtë Ballkanikut.

Është njoftuar Asociacioni Ballkanik i Volejbollit e po ashtu Federata Evropiane e Volejbollit. FVK-ja ka kërkuar që Bosnjë-Hercegovinës t’i merret e drejta e organizimit të Ballkanikut U21. Por kjo ka pak gjasa të ndodhë.

Volejbollistet e Kosovës U21 ka kohë që ishin grumbulluar për t’u përgatitur për Ballkanik.

“Kërkojmë që të merren masat që gara në Bosnjë-Hercegovinë të anulohet. Me moslejimin e Kosovës është thyer një nga kriteret bazë, ai i dhënies së mundësisë për pjesëmarrje të secilit shtet”, shkruan në letrën që kryetari i FVK-së, Bahri Gjinovci, e ka dërguar në Federatën Evropiane të Volejbollit.

Ka reaguar edhe Komiteti Olimpik i Kosovës. Por situata vështirë se do të ndryshojë.

Asociacioni Ballkanik i Volejbollit nuk shquhet për qëndrim të denjë ndaj Kosovës. Në ngjarjet ballkanike në volejbollin në rërë, garuesit e Serbisë vazhdimisht heqin dorë nga përballja me garuesit e Kosovës. Dhe ky veprim antisportiv kalon pa ndonjë masë nga Asociacioni Ballkanik. Këtë verë ka pasur shumë raste të tilla.

Asociacioni Ballkanik ka njoftuar për mbajtjen e Kampionatit Ballkanik U21 për volejbolliste. Nuk e ka përmendur fare Kosovën. Ka njoftuar se përfaqësueset pjesëmarrëse janë të Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Serbisë dhe Turqisë.

Pjesëmarrja e Serbisë mund të jetë thelbi i problemit.

Serbët e Bosnjë-Hercegovinës bllokojnë thuajse të gjitha gjërat që kanë të bëjnë me Kosovën.

“Vizat nuk na janë lëshuar me arsyetimin se mungon një letër nga distrikti i Brçkos. Janë arsyetuar se përgjegjësit janë në pushim vjetor. Ka qëlluar që edhe Federata e Bosnjë-Hercegovinës aktualisht të drejtohet nga serbët dhe as nga Federata nuk ka pasur vullnet për të na bërë zgjidhje. Kështu kemi mbetur pa viza dhe pa pjesëmarrje në Ballkanik”, ka thënë për KOHËN, Valon Nikqi, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Volejbollit të Kosovës.

Boshnjakët kanë qëndrim pro-Kosovës. Përfaqësueset dhe skuadrat kosovare që kanë luajtur në Bosnjë-Hercegovinë, përkatësisht në pjesën e boshnjakëve, janë pritur ngrohtë. Ndryshe ishte me skuadrat që kanë luajtur në Republika Srpska, përkatësisht në Banjallukë.

Gjendja e komplikuar politike u mundëson serbëve të Bosnjë-Hercegovinës që të bllokojnë thuajse t[ gjitha proceset.