Sport

Asociacioni Ballkanik pranon në heshtje vendimet antisportive të Serbisë

Në Shtip të Maqedonisë së Veriut të premten ka nisur Kampionati Ballkanik i Volejbollit në rërë për grupmoshën U22. Kampionatin e organizon Asociacioni Ballkanik i Volejbollit. Që në nismë të garës, në orën 8:30, është dashur të takoheshin ekipi i dytë i përfaqësueses së Serbisë dhe ekipi përfaqësues i Kosovës në konkurrencën e vajzave. Te vajzat Kosova është në grupin B së bashku me ekipin e parë të Turqisë, ekipin e dytë të Serbisë, ekipin e parë të Rumanisë dhe ekipin e dytë të Maqedonisë së Veriut. Derisa Rumania, Turqia, Maqedonia e Veriut dhe Serbia i kanë nga dy ekipe, Kosova përfaqësohet vetëm me një.

Ballkaniku megjithatë nisi në mënyrë të pazakontë. Me ndeshje të anuluar. Volejbollistet serbe Jovana Miçeviq dhe Ksenija Sokiq nuk dolën në terren për ta zhvilluar ndeshjen. Kështu Kosova fitoi me rezultat zyrtar. Yllka Jashari e Melirona Avdullahu janë lojtaret e Kosovës.

Prej orës 11:30, ekipi i dytë i Serbisë është dashur të takohet me ekipin përfaqësueses të Kosovës në konkurrencë të djemve. Sërish serbët nuk dolën në terren dhe Kosova fitoi me rezultat zyrtar. Te djemtë, Kosova është në grupin A së bashku me ekipet e dyta të Serbisë, Rumanisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Është e qartë që serbët nuk luajnë ndaj Kosovës për arsye politike. Ata refuzojnë të pranojnë shtetin e Kosovës dhe vlerësojnë se me paraqitje ndaj Kosovës do të pranonin edhe shtetin e Kosovës. Por është shqetësuese që ky qëndrim plotësisht antisportiv po pranohet nga Asociacioni Ballkanik i Volejbollit. Po pranohet në heshtje.

Edhe në të kaluarën serbët kanë refuzuar të luajnë ndaj Kosovës në ngjarjet ballkanike në volejboll në rërë dhe kjo dukuri antisportive nuk është dënuar.

Më 25 qershor ishte mbajtur Ballkaniku në volejboll në rërë në konkurrencën e të rriturve. Vukashin Rajkoviq e Marko Makariq kishin refuzuar të dilnin e të përballen me volejbollistët e Kosovës. Volejbollistët e Kosovës kishin pritur në fushë për kohë të gjatë e më pas fitorja u ishte dhënë me rezultat zyrtar. Rajkoviq e Makariq të njëjtin veprim antisportiv e kishin bërë edhe një vit më parë. Dhe kishin shpëtuar pa asnjë dënim. Madje në mediat serbe kishin folur me mburrje për veprimin e bërë.

Tani prej seniorëve dukuria antisportive është bartur tek të rinjtë.

Erion Bajrami e Ermal Maliqi po e përfaqësojnë Kosovën në Ballkanikun U22. Të njëjtit ishin edhe në Ballkanikun e seniorëve.

“Për të mos dalë që të përballen me Kosovën, ekipet e Serbisë e përdorin një arsyetim kinse këtë e bëjnë me leje të mjekut. Rregulloret teknike të Asociacionit Ballkanik e lejojnë këtë. Por është e qartë që është veprim i motivuar politik”, ka thënë për KOHËN, sekretari i përgjithshëm i Federatës së Volejbollit të Kosovës, Valon Nikqi.

“Në Asamblenë e ardhshme te Asociacionit Ballkanik do ta ngremë këtë si çështje. Do të kërkojmë që për ekipet që nuk paraqiten në ndeshje të ketë dënime”, ka shtuar Nikqi.

KOHA e ka pyetur shumë herë Asociacionin Ballkanik për këto veprime antisportive. I shkroi edhe të premten. Por vazhdon të mos marrë përgjigje.

Asociacioni Ballkanik i Volejbollit është goxha i organizuar. Organizon gara të shumta. Këtë javë u mbajtën kampionatet ballkanike në volejboll për grupmoshën U19. Volejbollistet ishin në Sofje e volejbollistët në Tiranë. Garuan edhe Kosova edhe Serbia. Por, nuk ishin në grupe të njëjta. Për plasman, Serbia garoi për pozitat e larta e Kosova për pozitat më të ulëta. Kështu që nuk erdhi te një përballje mes tyre.

“Në garat në volejboll shorti është gjysmë i dirigjuar dhe Kosova e Serbia nuk vendosen në të njëjtin grup. Në volejbollin në rërë, në ngjarjet ballkanike, shpesh Kosova e Serbia po janë në të njëjtin grup”, ka shtuar Nikqi.

Në shumë sporte përballjet mes Kosovës e Serbisë nuk lejohen. Për shembull në futboll pos me përfaqësuese nuk lejohen përballjet as me skuadra. Njëjtë është në basketboll e në hendboll. Por, jo edhe në volejboll.

Ndërkohë në sportet individuale dhe në disa sporte të tjera, të vlerësuar më të vogla, ka pasur dhe ka përballje jo të rralla mes sportistëve të Kosovës dhe të Serbisë. Në xhudo, për shembull, garueset e Kosovës kanë bilanc shumë pozitiv ndaj garueseve të Serbisë. Në disa sporte tjera dominojnë garuesit e Serbisë. Por në sportet kolektive, përjashto volejbollin, përballjet mes dy vendeve nuk lejohen fare. Kjo bëhet për të shmangur tensionet e mundshme dhe situatat si ajo që ndodhi në Shtip të premten.