Arbëri

“Sakrifica” e LVV-së nuk e bind LDK-në të ndryshojë qëndrim

Lëvizja Vetëvendosje do të synojë krijimin e qeverisë me ndryshimin e vetëm nga përpjekja e parë, me Glauk Konjufcën tash të propozuar kryeministër e me Kurtin ministër të Jashtëm. Por, dy javë para se të konsumohet afati për mbajtjen e seancës së Kuvendit, “sakrifica” e LVV-së nuk ka bindur partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë, të ndryshojnë qëndrim. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke iu referuar mungesës së numrave për krijimin e qeverisë, ka kërkuar që të mos humbet kohë dhe vendi të shkojë në zgjedhje

Lëvizja Vetëvendosje i ka në dispozicion dy javë për të provuar krijimin e qeverisë së re pas mandatimit të kandidatit të dytë të saj për kryeministër, Glauk Konjufcës. Po aq kohë e ndajnë vendin nga mundësia e shkuarjes në zgjedhje të parakohshme. 

Për votimin e tij si kryeministër, Konjufca një ditë më parë ka bërë të ditur se nuk synon arritjen e ndonjë marrëveshjeje me partitë e tjera të përfaqësuara në legjislaturën e nëntë. Po ashtu kabineti që pritet të propozohet nga ai do të jetë i njëjtë me atë të Albin Kurtit që kërkoi votat e deputetëve në përpjekjen e parë. Ndryshimi i vetëm pritet të jetë ndërrimi i pozitave, tashmë i bërë i ditur, mes Konjufcës dhe Kurtit - i pari kryeministër, i dyti ministër i Punëve të Jashtme. 

Ndryshime në qëndrime deri të mërkurën nuk kanë paralajmëruar as partitë që refuzuan të votojnë Qeverinë e re Kurti. Madje, për Lidhjen Demokratike të Kosovës, përpjekja e dytë e LVV-së është humbje kohe.

Kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, në një konferencë për media të mërkurën, tha se në Kosovë nuk mund të ketë qeveri të pakicës, duke iu referuar kështu mungesës së votave të nevojshme për t`u votuar Konjufca për kryeministër.

“Ajo çfarë sot na propozohet më shumë se demokracisë, i ngjan monarkisë. Në monarki, mandati trashëgohet nga babai te i biri, nga Albini te Glauku. Në monarki mandati mund të trashëgohet, në demokraci, mandati sigurohet dhe rinovohet përmes votës së qytetarëve, të shprehur në Parlamentin e atij shteti”, ka deklaruar ai.

Sipas Abdixhikut, çdo ditë e humbur për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme përbën zgjatje të krizës e rrezik për stabilitetin institucional. 

“Zvarritja e ditëve, kur e di se nuk ke shumicë, është thellim i vetëdijshëm i krizave që po na vijnë, e kështu dhe parapërcaktimit të fatit të tyre. Më pas bëhet vonë që t`i trajtojmë ato, sa më herët që VV-ja e Konjufca e sekti i tyre e ndërpret konsumimin e ditëve aq më shpejt zgjidhet kriza, aq më shpejt vjen qeveria e re, aq më shpejt vjen buxheti i ri, aq më shpejt vjen legjitimiteti qytetar në krye të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai. "Në demokraci, pakica nuk ndan buxhetin, nuk kalon ligje, nuk imponon politika, dhe nuk mund të bllokojë vullnetin qytetar të shprehur me votë të lirë, madje as me zvarritje të pakuptimta. Çdo qeveri legjitime duhet të përfaqësojë shumicën e qytetarëve të saj. Kur kjo shumicë nuk ekziston, vendi duhet t’i kthehet sovranit - pra qytetarit. Ky është thelbi i demokracisë".

Në deklarimin e parë, pas propozimit për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka bërë të qartë se nuk synon formim të një qeverie afatgjate, andaj edhe ka deklaruar se nuk synon të lidhë koalicion me ndonjë prej partive politike. Përkundër kësaj, Konjufca ka kërkuar mbështetjen edhe të partive deri tash në opozitë, me arsyetimin se duhet bashkëpunim në votimin e buxhetit për vitin e ardhshëm, atë për Radio Televizionin e Kosovës e të buxheteve komunale të vitit të shkuar për tri komunat: Prishtinë, Gjilan e Zubin Potok. Ai ka thënë se me shmangien e zgjedhjeve eventuale që do të mbaheshin në dhjetor do të ruhet funksionaliteti i shtetit e se vendi do të mund të shkonte në zgjedhje me rastin e dështimit të zgjedhjes së presidentit në fillim të vitit të ardhshëm.

Por, sipas kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku një kërkesë e tillë për "unitet" është e vonuar, duke iu referuar refuzimit që Vetëvendosje dhe partitë e tjera i kanë bërë propozimit të tij të prezantuar në maj të këtij viti për Qeveri të unitetit. 

"Sot, gjashtë muaj më pas, vendi ndodhet në situatë të ngjashme por më të rënduar. Pa institucione, me ndarje më shumë, por më pak kohë për t’i adresuar këto çështje", ka thënë Abdixhiku. 

I mandatuari i dytë i LVV-së për kryeministër, Glauk Konjufca, duhet të marrë së paku 61 vota. Me 48 deputetët e LVV-së në Kuvend e tetë deputetë nga komunitetet joserbe, ai i ka të sigurta 56 vota, aq sa ka siguruar edhe kryeministri aktual, Albin Kurti, në tentimin e tij të parë për ta bërë qeverinë, më 26 tetor, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Pra, Konjufcës i duhen së paku edhe pesë vota pro tij që të kalojë me sukses votimin në Kuvend. 

Abdixhiku i LDK-së ka thënë se ditëve në vijim do të vendosin se si do të veprojnë në seancën për votimin e qeverisë, por ka theksuar se deputetët e LDK-së janë të lirë të votojnë sido që duan. 

LDK-ja është shumë demokratike, në thelb, në vlerë, deputetët tanë janë të lirë të veprojnë si të duan... Është konstatim i të gjithëve, se është logjikë se pakica s`mund të vendosë për shumicën”, ka thënë ai. 

Konjufca, është mandatuar për kryeministër nga presidentja Vjosa Osmani, pasditen e së martës të 4 nëntorit. Sipas Kushtetutës, ai ka 15 ditë kohë që Kuvendit t`i paraqesë programin e kabinetin qeverisës. 

Në rast të dështimit edhe të mandatarit të dytë për të siguruar së paku 61 votat e nevojshme për t`u zgjedhur kryeministër, vendi shkon në zgjedhje, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditësh.