Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Rifillon gara në hendboll, të shtunën ndeshjet e para të plejofit

Pas afro tre muajve pushim për shkak të përhapjes së koronavirusit, të shtunën vazhdon gara në Superligën e Kosovës në hendboll në të dy konkurrencat.

Skuadrat e hendbollit prej fillimit të qershorit kanë nisur me stërvitje, ndërsa FHK-ja ka formuar një task-forcë për përballje me COVID-19. Më herët FHK-ja kishte vendosur që gara për titull të zhvillohet përmes plejofit.
Në Superligën e meshkujve në gjysmëfinale të plejofit takohen Besa Famgas me Kastriotin dhe Prishtina me Trepçën. Ndeshja në mes të Besës e Kastriotit luhet të shtunën (nesër) nga ora 20:00. Besa ishte e para kur u ndërpre edicioni, kurse Kastrioti i katërti. Ndeshja në mes të Prishtinës e Trepçës luhet nga ora 17:00. Prishtina ishte e dyta kurse Trepça e treta.

Ndeshjet do të luhen pa praninë e shikuesve.

Te femrat çiftet gjysmëfinale janë përcaktuar përmes shortit për faktin që katër skuadrat e para kishin pikë të barabarta. Ferizaj e Vushtrria takohen nga ora 19:30, kurse Prishtina e Istogu nga ora 14:30.