Pas përfundimit të pjesës së rregullt të edicionit të enjten, gara në Superligën e hendbollistëve vazhdon me ndeshjet gjysmëfinale të plejofit.
Ndeshjet e para të plejofit luhen të shtunën, ka njoftuar Federata e Hendbollit të Kosovës (FHK). Kampionia dhe liderja, Besa Famgas e pret Vëllaznimin në “Karagaçi” nga ora 17:00.
Besa i ka fituar të gjitha ndeshjet në Superligë dhe llogaritet favorite e madhe.
Favorite është edhe Prishtina ndaj Trepçës. Prishtina starton në plejof nga pozita e dytë, ndërsa Trepça nga pozita e tretë. Ndeshja Prishtina – Trepça po ashtu luhet nga ora 17:00.
Skuadra që shënon dy fitore, apo një fitore e një barazim, kalon në finale. Ndërkohë, në konkurrencën e femrave, xhiroja e 21-të në Superligë do të zhvillohet të shtunën dhe dielën. Istogu, që i ka fituar 20 ndeshjet e deritashme, e pret Shqiponjën e Gjakovës.
Kjo ndeshje është të shtunën nga ora 18:00. Pra Istogu udhëheq në tabelë me 40 pikë kurse Shqiponja është e gjashta me 22 pikë.
Të shtunën janë edhe ndeshjet Vëllaznimi – Drita (15:00), Prishtina – Samadrexha (15:00) e Jusuf Gërvalla – Vushtrria (13:00).
Ndeshjet e së dielës janë: Vjosa – Ferizaj (17:00), KEK-u – Kastrioti (16:30).