Rahoveci ka vazhduar me fitore në Superligën e Kosovës në hendboll. Të shtunën në derbin e xhiros së 17-të, Rahoveci e mposhti Kastriotin në Ferizaj me rezultat 36:34. “Vreshtarët” ishin vazhdimisht në epërsi, por Kastrioti, i përkrahur nga shikues të shumtë, u afrua në një gol në minutën e fundit. Megjithatë Rahoveci e shënoi edhe një gol për fitoren e 17-të rresht. Spanjolli Victor Alonso i shënoi 11 gola për Rahovecin.
Nëntë i kishte Alban Haziri. Te Kastrioti, Deniz Terziqi i kishte 11 gola, ndërsa nga gjashtë i realizuan Rron Ramadani e Lulzim Shabani.
Po të shtunën, Besa Famgas e mposhti Vëllaznimin me rezultat 46:17, ndërsa Prishtina fitoi ndaj Vushtrrisë me rezultatin 46:26. Në kuadër të xhiros së 17-të, Trepça e mposhti Deçanin me rezultat 43:28. Rahoveci udhëheq në tabelë me 34 pikë. Besa është e dyta me 28, ndërsa Trepça e treta me 24 pikë.
Pason Kastrioti me 20 dhe Prishtina me 16 pikë. Pas ndeshjes me Besën, Vëllaznimi i Gjakovës përmes një postimi ka njoftuar se tërhiqet nga garat. Vendimin klubi gjakovar e ka arsyetuar me gjendjen shumë të keqe financiare.
Vëllaznimi edhe javë më parë njoftoi për largim nga garat, por megjithatë ka vazhduar deri më tani.