Sporte të tjera

Rahoveci fiton në derbi ndaj Kastriotit

KH Rahoveci

Rahoveci e ka fituar derbin e xhiros së 13-të në elitën e hendbollit kosovar.

Të shtunën mbrëma në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec, Rahoveci fitoi përballë Kastriotit të Ferizajt me rezultatin 32:28.

Vendësit e nisën më mirë ballafaqimin duke krijuar epërsi prej shtatë golave në 9:2, duke e ruajtur epërsinë.

Mysafirët arritën që të afroheshin në katër gola, por pjesa e parë u mbyll 20:14 në të mirë të Rahovecit.

Thuajse e ngjashme ishte edhe pjesa e dytë.

Rahoveci kishte epërsinë, ndërsa Kastrioti nuk u afrua më shumë se në tri gola, 25:22.

Egzon Gjuka ishte lider i Rahovecit në këtë fitore, bashkë me portierin Arbër Curri dhe Lulzim Shabanin.

Gjuka i pati tetë gola të shënuar, ndërsa shtatë i realizoi Shabani. Pesë gola tjerë për Rahovecin i realizoi Ardit Tafilaj. Curri në portë pati shumë pritje.

Te Kastrioti edhe në këtë ndeshje, paraqitje të mirë pati portieri Ëadi Chebbi. Ai priti disa penallti, por Kastriotit nuk i ndihmoi loja e mirë e tij.

Festim Mustafa me tetë gola dhe Gentrit Brahimi e Felippe Teixeira me nga gjashtë gola, ishin më të dalluarit te mysafirët.

Me këtë fitore, Rahoveci zë vendin e parë me 22 pikë, aq sa ka edhe Kastrioti në pozitën e dytë.