Është kaluar shifra e shtatë milionë eurove që klubet dhe federatat sportive kanë përfituar nga marrëveshjet e sponsorimit në vitin 2021. Kështu Ligji për sponsorim në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit është bërë burim shumë i rëndësishëm i financimit në sportin kosovar. Ende prej tij nuk përfitojnë të gjithë, por disa përfitojnë shuma tepër të larta.
Ligji ka hyrë në fuqi që më 13 janar të vitit 2017, ndërsa ka nisur të aplikohet vetëm në vitin 2020. Për shkak të ndërlikimeve të shumta, nuk ishte zbatuar prej fillimit. Ende ka dyshime se marrëveshjet e sponsorimit mundësojnë keqpërdorime, sidomos duke kthyer një pjesë të mjeteve te ata që ofrojnë marrëveshjet. Pra, te kompanitë apo përfaqësuesit e tyre. Kjo, sipas dyshimeve, bëhet për të shpërblyer ata që sigurojnë mjetet nga sponsorimi për klubet e federatat.
Derisa në vitin 2020 klubet e federatat kishin përfituar rreth tre milionë euro, shifra ka shkuar përtej shtatë milionë eurove në vitin 2021. Vetëm federatat sportive në vend i kanë përfituar mbi një milion euro nga marrëveshjet e sponsorimit në vitin e kaluar.
Të dhënat zyrtare për KOHËN i ka paraqitur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Prej federatave sportive më së shumti nga marrëveshjet e sponsorimit në vitin e kaluar ka përfituar Federata e Basketbollit e Kosovës. FBK-ja ka lidhur pesë marrëveshje sponsorimi, që kapin shifrën e 495 mijë eurove. FBK-ja vazhdimisht është shquar për marketingun e zhvilluar dhe për marrëveshjet e shumta të sponsorimit, madje edhe para se ligji të aplikohej.
Vetëm prej një marrëveshjeje, FBK-ja ka përfituar 350 mijë euro. Një marrëveshje e ka për 50 mijë euro, një për 45 mijë, një për 40 mijë e një për 10 mijë euro.
Federata e Futbollit burim kryesor e ka UEFA-n. Por edhe nga marrëveshjet e sponsorimit ka përfituar vitin e kaluar. I ka tri marrëveshje, përmes të cilave i ka përfituar 175 mijë euro.
Prapa nuk ka mbetur as Federata e Skijimit e Kosovës. Me katër marrëveshje, Federata e Skijimit ka siguruar 96.500 euro.
Federata e Xhudos, më e suksesshmja në vend sa u takon rezultateve, ka lidhur dy marrëveshje të sponsorimit vitin e kaluar. I ka përfituar 76.800 euro.
Federata e Hendbollit e Kosovës në bazë të tri marrëveshjeve të bazuara në këtë ligj përfitoi 65 mijë euro. Mbi 46 mijë i takuan Federatës së Tenisit, ndërsa është shquar edhe Federata e Autosporteve me tri marrëveshje, që kësaj federate i siguruan buxhet prej mbi 90 mijë eurosh.
Kanë përfituar edhe Federata e Volejbollit, e Boullingut, e Kajakimit, e Boksit, si dhe ajo e Golfit. Gjithsej federatat përfituan 1 milion e 60 mijë euro në emër të sponsorimit.
Vjet përfituan vetëm katër federata.
Është Komisioni për shqyrtimin dhe vlerësimin e kërkesave për lëshimin e vërtetimit për sponsorime në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit që jep vërtetimin në bazë të të cilit realizohet marrëveshja. Vjet ishin lëshuar 227 vërtetime. Sivjet, sipas të dhënave zyrtare, janë 512 marrëveshje. Vetëm 32 janë të federatave sportive.
Vjet FFK-ja kishte përfituar më së shumti, ndërsa sivjet ka mbetur shumë prapa FBK-së.
Ligj rregullon përkrahjen dhe mbështetjen financiare e materiale të aktiviteteve kulturore, rinore dhe sportive përmes sponsorimeve dhe reklamave. Sponsoruesit për sponsorime në aktivitetet e sportit u njihet zbritja 30 për qind nga tatimi në fitim.
ATK-ja dhe organet kompetente mbikëqyrin dhënien, pranimin dhe shfrytëzimin e sponsorimit dhe reklamimit për zbritjet e lejuara sipas ligjit.
Federatat përfitojnë edhe nga buxheti që ndan shteti për to, por kanë edhe burime të tjera. Ndërkohë, klubet përfitojnë edhe nga federatat e po ashtu edhe nga komunat, ndonëse pak.
Përkrahja për sportin vlerësohet të jetë e kënaqshme, por ka shumë dyshime nëse mjetet shkojnë te sportisti, sidomos ai kosovar.
Shuma e përfituar nga federatat dhe kompanitë me të cilat lidhën marrëveshje
Federata e Basketbollit
50 mijë euro (Shita)
350 mijë (Ventius)
10 mijë (TEB)
45 mijë (IP-KOS)
40 mijë (Tregtia)
Federata e Futbollit
30 mijë (HIB Petrol)
100 mijë (VIVA Fresh)
35 mijë (KEP Trust)
Federata e Skijimit
4000 (Asgeto)
20 mijë (Swiss Premium Calf-Consulting)
70 mijë (Alba Group)
2500 (Ipko)
Federata e Xhudos
60 mijë (Elkos)
16.800 (Posta Mik)
Federata e Hendbollit
15 mijë (Gentc Group)
20 mijë (Neptun)
30 mijë (Illyria)
Federata e Tenisit
25 mijë (Banka Ekonomike)
15 mijë (Eurokos)
6290 (Hymer)
Federata e Volejbollit
3000 (Agro Trade)
2000 (Ultra Cosmetics)
4000 (Iliria Building&Fitorja)
Federata e Boullingut
3000 (GAP)
2000 (Pro Finance Home)
Federata e Autosporteve
69.816 (Fitorja)
12 mijë (Eurogoma)
10 mijë (Ex Fis)
Federata për Kajakim
2000 (Sport Media Music & Counsulting sh.p.k)
Federata e Boksit
2000 (Extra Al PVC)
2000 (BNT)
Federata e Golfit
4000 (Banka Ekonomike)