Qindra persona janë arrestuar në Paris pas përleshjeve me policinë, pasi tifozët e PSG-së festuan fitoren në finalen e Ligës së Kampionëve. Oficerët e policisë arrestuan gati 300 persona, pasi shpërthyen përleshjet pranë rrugës “Champs-Elysees” dhe pranë stadiumit “Parku i Princave”. Gati 50 mijë persona kishin ndjekur në ekrane të mëdha fitoren 5:0 të PSG-së ndaj Interit. Ndeshja e së shtunës mbrëma u luajt në Munih të Gjermanisë.
Kishte zjarre e fishekzjarrë. U shkatërruan stacione të autobusëve dhe u dogjën makina në festimin e egër e të dhunshëm, shkruan BBC.
Kaosi ndodhi pasi PSG-ja fitoi çmimin më të madh në futbollin evropian, për herë të parë në histori.
Shumica e tifozëve festuan në mënyrë paqësore. Shumë këndonin dhe kërcenin në rrugë, ose festonin duke iu rënë borive të veturave të tyre.
Kulla Eiffel u ndriçua me ngjyrat e PSG-së dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron bëri një urim.
Rreth 5400 policë ishin të angazhuar për të ruajtur rendin në natën e së shtunës në Paris. Shumica e afro 300 personave u arrestuan për posedim fishekzjarrësh dhe shkaktim të trazirave, tha policia e Parisit. Sipas policisë, tifozët problematikë kanë kërkuar vazhdimisht të krijojnë probleme.
Turmat e njerëzve kanë tentuar të hyjnë në disa shitore në Champs-Elysees, duke përfshirë “Chanel” e “Foot Locker”.
Është përdorur topi i ujit për të ndalur një turmë që po arrinte te Harku i Triumfit, ndërsa është shfrytëzuar edhe gazi lotsjellës. Të paktën dy vetura janë djegur në afërsi të stadiumit.