Një numër i madh i tifozëve janë mbledhur qetësisht afër Kullës Ajfel të dielën, për ta festuar trofeun e Ligës së Kampionëve të fituar nga Paris Saint-Germaini.
Festa e së dielës u bë pas natës me përleshje të shumta në gjithë Francën. Është dashur ndërhyrja e Policisë franceze që ka arrestuar shumë persona.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMinistri i Brendshëm, Laurent Nunez, ka thënë se 780 persona janë arrestuar në Paris dhe në qytete të tjera, dhe se 57 zyrtarë policorë janë lënduar. Shumica e zyrtarëve policorë kanë marrë lëndime të lehta.
Tifozët kanë ndezur fishekzjarrë, ndërsa kanë dëmtuar shumë lokale përgjatë gjithë natës.
Nunez ka thënë në konferencën për shtyp të dielën se “situata në gjithë vendin ka qenë kryesisht nën kontroll”.
“Shumica e festave janë bërë qetësisht” në gjithë kryeqytetin francez, ka thënë ai, duke bërë me dije se incidentet më të mëdha kanë ndodhur në “Champs Elysees” dhe afër stadiumit “Parku i Princave”, në perëndim të Parisit, ku tifozët u mblodhën për ta përcjellë ndeshjen.
Nunez ka thënë se festimet për triumfin e ekipit, të dielën në “Champ de Mars”, kanë shkuar ashtu siç është planifikuar. Ai paralajmëroi se në rast të dhunës, policia do të ndërhynte me “vendosmëri”.
Deri në 100 mijë përkrahës të klubit parisien janë pritur në ngjarjen për të cilën u morën masa të shumta sigurie.
Lojtarët e PSG-së kaluan nga Kulla e Ajfelit për t’ua shfaqur tifozëve trofeun e Ligës së Kampionëve. Ekipi më vonë u prit nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në zyrën presidenciale në “Elysee”.
Nunezi ka bërë me dije se incidentet kanë ndodhur në 15 vende në Francë, dhe ka theksuar se janë dëmtuar shumë dyqane. 480 prej të arrestuarve ishin në zonën e Parisit.
Policia ka intervenuar pesë herë gjatë natës për t’i larguar njerëzit që e bllokonin trafikun në unazën kryesore përreth Parisit, ka thënë ai.
Një aksident serioz përfshiu një ngasës që e humbi kontrollin e veturës dhe u përplas në tarracën e një restoranti, duke i lënduar dy persona. Lëndimi i njërit prej tyre ka qenë shumë serioz, ka thënë Nunez.
Zyra e Prokurorëve të Parisit ka thënë se 277 persona janë në paraburgim, përfshirë 82 të mitur, për vepra të ndryshme. Shumica ishin për sulm ndaj zyrtarëve policorë, ndërsa të tjerët për vjedhje, shkatërrim prone dhe prishje të rendit publik.
Tifozët nisën festën në Paris pas vërshëllimës së fundit të shtunën mbrëma në Budapest të Hungarisë, ku PSG-ja u kurorëzua si fituese e Ligës së Kampionëve, pasi e mposhti Arsenalin në penalltitë dramatike.
Tifozët marshuan drejt rrugëve në Paris afër monumentit “Arc de Triomphe”, ndërsa ndezën fishekzjarrë dhe i binin burive të veturave. Afro 20 mijë persona janë mbledhur në “Champs-Elysees”, ku Policia punoi shumë për ta mbajtur turmën të qetë.
Policia e Parisit ka thënë se një grup i vogël kanë shkaktuar trazira në disa lokacione, kanë thyer lokale dhe u kanë vënë flakën mbeturinave e biçikletave nëpër rrugë. Pati edhe makina të djegura. Disa u përpoqën ta sulmonin stacionin policor në lagjen luksoze “Arrondissement 8”, por ata u shpërndanë shpejtë, ka thënë Policia.
“Pjesa më e madhe e parisienëve ka festuar me gëzim, të bashkuar dhe me respekt”, ka shkruar në platformën “X” të dielën, kryetari i Parisit, Emmanuel Gregoire. Ai e ka dënuar dhunën “me termat më të ashpra të mundshme”.
Në majin e vitit të kaluar kur PSG-ja e fitoi titullin e parë të Evropës, 201 persona u lënduan në kryeqendrën franceze dhe Policia ka bërë më shumë se 500 arrestime në gjithë Francën.