Në Paris do të jenë në detyrë 5400 policë për finalen e Ligës së Kampionëve mes PSG-së dhe Interit. Këtë e bëri të ditur të premten shefi i policisë, Laurent Nunez.
Edhe pse ndeshja e së shtunës luhet në Munih, një fitore eventuale e PSG-së pritet të sjellë festë të madhe në kryeqendrën franceze. Dhe festa ka potencial të përshkallëzohet në trazira.
Trafiku në një pjesë të frekuentuar do të mbyllet gjatë ditës, ndërsa në mbrëmje të bllokuara do të jenë edhe shumë rrugë të tjera.
Kujdesi është rritur pas incidentit në Liverpool, ku të lënduar mbetën dhjetëra tifozë.
Fitorja e PSG-së ndaj Arsenalit në gjysmëfinale, shkaktoi natë trazirash në Paris. 47 persona ishin të arrestuar dhe tre mbetën të lënduar pasi u goditën nga një veturë.
“Do të jemi shumë të vendosur. Nëse ka dëme dhe sulme ndaj forcave të rendit, do të ketë ndërhyrje”, ka thënë Nunez.