Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Puna me trajnerë të mëdhenj po e ndihmon Alonson te Leverkuseni

Xabi Alonso më përpara do të luante sesa të stërviste Bayer Leverkusenin. Por, kjo nuk e ka penguar spanjollin që me ekipin e tij të kryesojë në Bundesligë. Ish-mesfushori i Liverpoolit, Real Madridit dhe Bayern Munichut e ka dërguar Bayer Leverkusenin nga zona e rënies në krye të ligës gjermane për 13 muaj.

Videot e pasimeve të tij të gjata për lojtarët në stërvitje janë bërë virale.

"Të luash është më mirë," u tha Alonso gazetarëve kur u pyet për të krahasuar karrierën e tij në fushë me atë jashtë fushës, si trajner. A e ndien mungesën e të luajturit? “Nuk duhet të them, por po”.

Gjërat po ecin shpejt për Alonson. 41-vjeçari konsiderohet kandidat potencial për ta marrë drejtimin e klubit të tij të vjetër Real Madridit, kur kontrata e ish-trajnerit të tij, Carlo Ancelotti, skadon në fund të këtij edicioni. Përpara kësaj është përpjekja për të thyer mallkimin e njohur si “Neverkusen”.

Leverkuseni ka qenë nënkampion pesë herë në Bundesligë – dhe një herë në Ligën e Kampionëve – pa fituar asnjërën garë. Trajneri aktual i Leverkusenit është fitues i një kupe të botës, dy kampionateve evropiane, dy trofeve të Ligës së Kampionëve dhe një mori trofeve të tjerë në Angli, Gjermani dhe Spanjë. Totali i trofeve personalë të fituar nga Alonso si lojtar është më i madh se ai i Leverkusenit në historinë 119-të vjeçare si klub.

Edhe Arsyet që shtynë Alonson të refuzojë Liverpoolin dhe Bayernin Futboll Arsyet që shtynë Alonson të refuzojë Liverpoolin dhe Bayernin

Sukseset si futbollist dhe besimi në lojtarët e rinj si trajner ia dhanë kredibilitetin Alonsos të marrë drejtimin e Leverkusenit vitin e shkuar, kur ekipi ishte në vështirësi. Ishte angazhimi i parë për Alonson në nivelin senior, pas atij që e pati te Real Sociedadi ku udhëhoqi ekipin e rezervave. Duke u mbështetur në përvojën e tij të lojës, Alonso u fokusua në inkurajimin e lojtarëve të tij që të besojnë përsëri në veten e tyre dhe të marrin përgjegjësinë në fushë.

“Unë u inkurajova të kisha kriteret e mia në fushë, të merrja vendimet e mia dhe kjo është diçka që unë me të vërtetë po e bëj”, tha Alonso. “Nuk bëhet fjalë për të qenë robotë, nuk ka të bëjë me: Ne gjithmonë duhet ta bëjmë këtë dhe nëse nuk e bëni këtë do të jeni në stol”.

Alonso “lindi” në futboll si djali i Periko Alonsos, fitues i tre titujve të kampionit në Spanjë si lojtar, por që ishte trajner për pjesën më të madhe të fëmijërisë së djalit të tij. Alonso luajti për shumë nga trajnerët më të mëdhenj të dekadave të fundit – Pep Guardiola, Jose Mourinho e Ancelotti mes tyre – dhe bazohet në shembujt e tyre për frymëzim.

“Ka momente të caktuara kur mendoj: Çfarë ndodhi atë ditë, në atë situatë? Dhe ato përvoja më ndihmojnë të bëj diçka, ose të mendoj, ose të kem një qasje tjetër”, tha spanjolli. “Ajo që mësova nga ato përvoja më ka ndihmuar shumë në ditët e sotme. Nuk më pëlqen të flas për rolin tim të trajnerit apo menaxherit me shumë autoritet, sepse nuk mendoj se e kam atë autoritet. Është shumë herët për të folur me autoritet. Përpiqem të dëgjoj trajnerët me më shumë vjet përvojë, që i respektoj shumë”.

Pas vjetësh mësimi nga trajnerët më të mirë në futbollin botëror, Alonso po e vë atë njohuri në praktikë. Megjithatë është të paktën një trajner tjetër për të cilin do të dëshironte të kishte mundësinë të luante.

“Do të kisha dashur të stërvitesha nga Juergen Klopp”, thotë Alonso për trajnerin që e ktheu klubin e tij të vjetër, Liverpoolin, në një forcë në skenën angleze dhe evropiane. “Ajo që ai ka bërë për klubin ka qenë e pabesueshme”.

Periudha e Alonsos në Leverkusen filloi me taktikë të mprehtë kundërsulmesh. Ai shfrytëzoi shpejtësinë e lojtarëve të skuadrës së re. Pas një fillimi të ngadaltë, me një fitore në shtatë ndeshjet e para të Alonsos, një seri fitoresh në gjysmën e dytë të edicionit bëri që Leverkuseni të përfundonte në vendin e gjashtë dhe të arrinte në gjysmëfinale të Ligës së Evropës, përpara se të humbte 1:0 nga Roma e Mourinhos.

Për edicionin e dytë të Alonsos, lojtarë më të vjetër si ish-mesfushori i Arsenalit, Granit Xhaka, mbrojtësi i majtë Alejandro Grimaldo dhe anësori i Gjermanisë, Jonas Hofmann, u afruan për të shtuar përvojë në ekip, së bashku me sulmuesin 22-vjeçar Victor Boniface. Me ta erdhi kalimi në një stil loje më të fokusuar në kontrollin e topit, pasime të zgjuara dhe pritje për hapje. “Nuk është ‘tiki-taka’, jo”, thotë Alonso, i cili e përkufizon stilin e pasimeve të favorizuar dikur nga Guardiola dhe ekipi fitues i Spanjës në Botërorin 2010 si “posedim mbrojtës”.

Edhe Pas transformimit të Leverkusenit, Alonso përballet me Mourinhon Sport Pas transformimit të Leverkusenit, Alonso përballet me Mourinhon

Triumfi 4:0 të dielën ndaj Union Berlinit e la Leverkusenin në vendin e parë me 31 nga 33 pikë të mundshme. Ka dy pikë më shumë se Bayerni dhe së bashku janë ekipet e vetme që këtë edicion nuk dinë për humbje pas 11 xhirove. Por, a mund ta çojë forma e Leverkusenit, Alonson dhe ekipin e tij drejt një titulli historik? Ai nuk dëshiron të spekulojë.

“Sigurisht, ne jemi të vetëdijshëm se pritshmëritë po krijohen, por ne nuk duam të jemi pjesë e atij krijimi”, tha ai. “Ne duam të jemi pjesë e asaj që mund të bëjmë dhe le të shohim se sa mirë apo sa mund ta meritojmë për ta fituar atë shans”.