Fati i Xabi Alonsos te Real Madridi nuk është vendosur ende, por ndeshja e së mërkurës ndaj Manchester Cityt në Ligën e Kampionëve mund të jetë vendimtare.
Tifozët po e humbin durimin dhe skuadra madrilene është fishkëllyer pas humbjes 2:0 të pësuar të dielën nga Celta Vigo. Kjo solli një takim emergjent të drejtuesve të klubit, në të cilin u diskutua e ardhmja e Alonsos si trajner.
Real Madridi mbetet katër pikë prapa Barcelonës në krye të La Ligas. Ka fituar vetëm një prej pesë ndeshjeve të fundit në elitën spanjolle. Është një rënie dramatike pas fitores ndaj Barcelonës në tetor. Dhe tani duket që gjasat e Alonsos për të mbijetuar në krye të skuadrës janë të zbehta, shkruan BBC në një analizë për gjendjen te Real Madridi.
Alonso kaloi në verë te Reali, duke ofruar një qasje moderne. Por klubi duhet ende ta pranojë se ky hap është i nevojshëm. Dhe ende reziston.
Presidenti Florentino Perez asnjëherë nuk ka besuar plotësisht në kësi ndryshimi, ndonëse njerëzit në klub e kanë bindur që të emërojë Rafa Benitezin, Julien Lopeteguin dhe Xabi Alonson, që kanë qasje ndryshe.
Por në momentin që ata kanë telashe, kanë dyshime apo lojtarët ndalojnë së besuari, Perez heq dorë, duke pasur parasysh se klubi ka qenë më i suksesshëm me trajnerë që ndërhyjnë më pak, si Carlo Ancelotti e Zinedine Zidane.
Kur mori drejtimin e Bayer Leverkusenit, Alonso kërkoi të lirohej nëse ndonjë nga klubet për të cilat ka luajtur do të telefononte. Ai shtoi edhe një ekip në atë listë, Manchester Cityn, si pasardhës i Pep Guardiolas. Tani mund të jetë Pep Guardiola që mund ta lë pa punë.
Kthimi i Madridit në “Bernabeu” pas gjashtë ndeshjes larg, pasqyroi gjithçka që ka shkuar keq gjatë serisë prej vetëm tri fitoresh në shtatë ndeshje. Pati disa momente të mira, por ajo që binte më shumë në sy ishte mungesa e lidhjes midis idesë së trajnerit dhe ekzekutimit të lojtarëve. Ata nuk duket se besojnë plotësisht në planin e trajnerit.
Skenat në dhomën e zhveshjes pas humbjes të së dielës ishin frustrim i plotë – gjëra të hedhura, zëra të ngritur. Sa herë që dikush përpiqej të fajësonte gjyqtarin, përgjigjja ishte e menjëhershme: “Ky është justifikim i keq”.
Alonso drejtoi fjalë të keqe ndaj Fran Garcias kur ai u përjashtua me të kuq. Në konferencë për shtyp Alonso tha se nuk i pëlqente performanca e arbitrit, por se nuk ishte justifikim.
Momenti më shqetësues në konferencë për shtyp pas humbjes nga Celta ishte kur tha se disa gjëra ishin përgatitur – tempo më e lartë, presion në fushë – por se skuadra nuk zbatoi asnjë prej tyre. Ishte jehonë e asaj që e kishte paralajmëruar trajneri i mëparshëm, Ancelotti.
Momenti i dytë shqetësues ishte zbulimi se ata që marrin vendime në klub qëndruan prapa dyerve të mbyllura në “Bernabeu” për disa orë pas ndeshjes, duke analizuar atë që kishte ndodhur. Kjo nuk është asnjëherë e mirë.
Alonso duket se nuk e ka pasur të qartë se sa e vështirë do të jetë që t’i bënte të gjithë të mendonin si një i vetëm. Ancelotti në fakt e kishte paralajmëruar se ide që përgatiteshin gjatë javës nuk zbatoheshin nga skuadra në fushën e lojës.
Deri para pak javësh, Alonso e kishte mbështetjen e plotë. Por pas disa rezultateve jo të mira, presioni është rritur shumë. Kanë filluar të dalin fjalë se kishte shumë video, se kërkesat ishin shumë të larta, se lojtarët pritej të ishin robotë. Është përplasje tipike e një trajneri me metodologji të qartë dhe e lojtarëve që duan të mbështeten në instinkt.
Dhe problemet janë grumbulluar.
Ai nuk po merr nga lojtarët atë që e pret prej tyre. Jo të gjithë janë të kënaqur me pozicionet në fushë.
Dhe nëse Kylian Mbappe nuk shënon, askush nuk e bën këtë. Vinicius Jr nuk ka shënuar për 11 ndeshje, Rodrygo plot 33. Lëndimet, sidomos në mbrojtje, kanë shtyrë Alonson të startojë me 20 formacione të ndryshme në 21 ndesje.
Reagimi i Vinit pas zëvendësimit në “El Clasico” ka treguar shumë. Ishte sfidim i autoritetit të trajnerit, që nuk është zgjidhur. Klubi nuk e mbrojti Alonson dhe në kërkim falje braziliani “harroi” ta përmendte atë. Është shumë vështirë të kthehesh nga kjo.
Kur të gjitha mediat në Spanjë kanë mesazhin e njëjtë, se e ardhmja e Alonsos është e pasigurt, zakonisht ky është mesazh i drejtuesve kryesorë, i mbështetur nga dhoma e zhveshjes.
Alonso ende beson se është i aftë të gjejë zgjidhje. Te Real Madridi situata mund të ndryshojë në mënyrë dramatike për një apo dy ndeshje. Për këtë arsye ndeshja e së mërkurës ndaj Manchester Cityt nuk është “vetëm ndeshja e radhës”.