Xabi Alonso mori të hënën zyrtarisht detyrën e trajnerit të Real Madridit, ndërsa u zotua se do të ndjekë gjurmët e Carlo Ancelottit. Spanjolli ka theksuar se ka “një ndjenjë të mirë” për të ardhmen e ekipit nën drejtimin e tij.
Real Madridi të dielën njoftoi për angazhimin e Alonsos, një ditë pasi i bëri përshëndetje të veçantë Ancelottit në ndeshjen e fundit kampionale në “Santiago Bernabeu”. Ancelotti mori drejtimin e Brazilit, pas katër vjetësh shumë të suksesshëm te Real Madridi.
“Jam këtu që të marr përsipër detyrën nga Carlo Ancelotti, i cili ishte trajneri im dhe është person i shkëlqyer”, ka thënë Alonso të hënën. “Ai është trajner që la gjurmë tek unë dhe pati një ndikim të madh. Pa udhëzimin e tij ndoshta nuk do të isha këtu. Do të marr trashëgiminë e tij me krenari dhe jam i nderuar që tani jam në pozicionin ku ishte Carlo më parë. Shpresoj të realizoj pritjet dhe ta udhëheq klubin drejt arritjes së gjithë objektivave”, ka shtuar Alonso.
Alonso tha se ndihej mirë që u kthye në shtëpi në Madrid, ku fitoi gjashtë trofe si lojtar, nga viti 2009 deri në vitin 2014.
“Pa dyshim kjo është një ditë shumë e veçantë për mua”, ka thënë Alonso. “Jam shumë i lumtur që ndodhem në një vend ku ndihem si në shtëpinë time. Mund të kenë kaluar disa vjet, por lidhja ime me Real Madridin dhe tifozët e Madridit ka ekzistuar gjithnjë”.
Ceremonia e prezantimit të trajnerit të ri nisi me shfaqjen e një videoje me disa nga momentet kryesore të Alonsos si lojtar i Madridit, Spanjës dhe klubeve të tjera ku u paraqit si mesfushor. U shfaqën gjithashtu momente nga puna e tij si trajner në ekipin e të rinjve të Madridit, te Real Sociedadi B dhe te Bayer Leverkuseni. Ai u largua nga Leverkuseni pas përfundimit të edicionit në Bundesligë.
43-vjeçari ka firmosur për tre vjet me Real Madridin. Alonso e pa videon së bashku me gruan e tij dhe të ftuar të tjerë.
“Sot është një ditë e veçantë për të gjithë ne, është fillimi i një faze të re”, ka thënë presidenti i Real Madridit, Florentino Perez.
“Kemi një trajner të ri i cili tashmë është njëri nga më të mirët në botë dhe që përfaqëson vlerat e Real Madridit. Ai e di shumë mirë se çka do të thotë kjo stemë dhe kjo fanellë”.
Alonso mori drejtimin e skuadrës që nuk arriti synimet në edicionin që tashmë përfundoi. Real Madridi e fitoi Superkupën e Evropës, por vuajti më pas. Dështoi në të gjitha frontet e tjera. Ndër të tjera i humbi katër ndeshje “klasike” me Barcelonën që i fitoi trofetë.
“Kemi ekip të shkëlqyer, me lojtarë fantastikë”, ka thënë Alonso. “Jam i bindur se mund të arrijmë gjëra të rëndësishme, të denja për Real Madridin. Dua t’i frymëzoj tifozët, t’i bëj krenarë për ekipin që shohin në fushë. Kam një ndjenjë të mirë se mund të fillojmë diçka të shkëlqyer”.
Ai shkroi histori te Bayer Leverkuseni, ndër të tjera duke e përfunduar edicionin 2023/2024 në Bundesligë pa e pësuar asnjë humbje. Tani pritet të bëjë gjëra të mëdha edhe me klubin më të suksesshëm në botë.