Një dekadë pasi luajti për herë të fundit nën urdhrat e Jose Mourinhos me fanellën e Real Madridit, Xabi Alonso do të përballet me portugezin si trajner.
Një fitore ndaj Romës së Mourinhos në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Evropës në Itali, të enjten (21:00), do të ngrejë më tej reputacionin në rritje të Alonsos, pas një pune të jashtëzakonshme që e ka bërë te Bayer Leverkuseni këtë edicion. Leverkuseni nuk ka arritur kaq larg në Evropë që nga humbja në finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2002 nga një ekip i Real Madridit i udhëhequr në fushë prej francezit Zinedine Zidane.
Ishte një nga humbjet që i dha klubit pseudonimin “Neverkusen” në Gjermani. Leverkuseni nuk ka fituar trofe për 30 vjet.
Dy herë fitues i Ligës së Kampionëve si lojtar, Alonso luajti për Mourinhon te Real Madridi nga viti 2010 deri në vitin 2013, duke fituar ligën dhe kupën spanjolle. Alonso ka kujtuar se si u bind menjëherë nga aftësia e Mourinhos, kur trajneri portugez mori drejtimin e klubit të madh spanjoll.
“Më kujtohet takimi i parë me Mourinhon. Ai erdhi nga Interi, ndërsa unë nga Botërori që e kisha fituar në Afrikën e Jugut me Spanjën dhe u takuam në Los Angeles. Takimi i parë zgjati vetëm pesë minuta dhe aty e kuptova se bëhej fjalë për një trajner të mirë, gjë të cilën e ka dëshmuar edhe me kalimin e kohës”, ka theksuar Alonso.
Edhe Mourinho ka pasur vetëm fjalë të mira për Alonson. Madje trajneri portugez në vitin 2019 e kishte paraqitur Alonson si një trajner të së ardhmes dhe tejet perspektiv.
“Babai i tij ishte trajner, kështu që ai u rrit si unë. Ai u rrit me një baba-lojtar, me një baba-trajner, pastaj u bë lojtar, sigurisht shumë më i mirë se unë. Po ashtu Alonso ka punuar me trajnerë si Pep Guardiola, Carlo Ancelotti e Rafael Benitez”, tha Mourinho. “Pra, nëse i bashkoni të gjitha këto, Xabi i ka pasur të gjitha kushtet e duhura për të qenë trajner i mirë dhe për këtë arsye nuk më befason ajo që ka bërë me Leverkusenin për një kohë të shkurtër”.
Edhe
Alonso zyrtarizohet trajner i Chelseat: Duam trofe
Alonso mori drejtimin e Leverkusenit në tetor të vitit të shkuar, kur ekipi ishte në zonën e rënies. Ndërsa tani e ka ngritur në pozitën e gjashtë në Bundesligë. Trajneri i mëparshëm Gerardo Seoane e kishte kualifikuar klubin në Ligën e Kampionëve edicionin paraprak, por më pas rezultatet pësuan rënie drastike. Kishte dyshime kur Alonso fitoi një nga shtatë ndeshjet e para në një orar shumë të vështirë. Megjithatë, ai ndërtoi filozofinë e lojës dhe e riktheu fuqishëm Leverkusenin pas Kupës së Botës, si në kampionat ashtu edhe në Ligën e Kampionëve. Madje, Alonso ishte shkaktari që Julian Nagelsmann u shkarkua nga Bayern Munichu, i cili pësoi 2:1 nga Leverkuseni.
Seria prej 14 ndeshjeve pa humbje e Leverkusenit përfundoi javën e shkuar, kur u mposht 2:1 nga Koelni. Edhe Roma e Mourinhos në ndeshjen kundër Leverkusenit futet pas humbjes që e pësoi nga Interi (2:0). Për të dyja skuadrat triumfi në Ligën e Evropës është shansi më i mirë për të luajtur në Champions edicionin e ardhshëm.
Ndërkohë, në gjysmëfinalen tjetër të kësaj gare do të përballen Sevilla me Juventusin, me ndeshjen e parë që luhet në Spanjë.