Fusha e stadiumit “Fadil Vokrri” është shumë e dëmtuar. E mbuluar me lloç. Me gjendjen në të cilën është, fusha nuk i plotëson kriteret për t’u zhvilluar një ndeshje normale. Por në stadiumin e Prishtinës do të vazhdohet të luhet futboll. Në fundjavë, Prishtina e zhvillon si vendase ndeshjen në kuadër të kampionatit të Kosovës kundër Dritës, kurse Ballkani të enjten e ardhshme do ta luajë një prej ndeshjeve më të rëndësishme në Ligën e Konferencës. Do ta presë Viktoria Plzenin e Çekisë në ndeshjen e fundit në shtëpi. Pra, në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Te Prishtina kanë thënë se në ditët në vazhdim do ta vendosin saktë se ku do ta zhvillojnë ndeshjen kundër Dritës, e cila i takon xhiros së 15-të të elitës së futbollit kosovar.
“Normal ndeshja do të duhej të luhej në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, por të shohim si do të jetë në ditët në vazhdim moti. Nëse nuk ndalet shiu, problem është të luhet në atë fushë. Pastaj është Ballkani që luan ndeshje ndërkombëtare dhe rrezikojnë t’ia marrin lojën në tavolinë. Ne nuk duam t’i bëjmë problem edhe Ballkanit. Por të shohim si do të jenë gjërat në ditët në vijim. Prej Federatës nuk kemi marrë asnjë njoftim deri tash, por të shohim. Hajvalia mund të jetë një opsion tjetër”, ka thënë drejtori i klubit Prishtina, Artan Osmani, të mërkurën për KOHËN.
Drejtori Osmani ka dyshim se FFK-ja do të investojë në rregullimin e gjendjes së fushës në stadiumin e Prishtinës.
“Ne shumë shpejt do të kërkojmë takim me kryetarin e Komunës për ta rishqyrtuar marrëveshjen që e kanë bërë me FFK-në. Duhet të ulemi dhe ta bëjmë një propozim. Kam dyshim nëse do të ketë intervenim nga ana e tyre, pasi tashmë i kanë mbyllur ndeshjet dhe me shumë gjasë do ta lënë ashtu siç është, në gjendje të mjerueshme”, ka theksuar Osmani.
Në fakt, përgjegjësitë për stadiumin “Fadil Vokrri” i ka Federata e Futbollit e Kosovës.
Për marrjen në shfrytëzim më 30 dhjetor të vitit të kaluar ishte nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi në mes të Komunës së Prishtinës, si pronare, dhe Federatës së Futbollit të Kosovës, si shfrytëzuese dhe menaxhuese e stadiumit. Ndër obligimet që ka marrë është edhe ndërrimi i barit të fushës, që tashmë është i mbuluar me lloç.