Pasi gjendja e fushës në stadiumin “Fadil Vokrri” u vlerësua e turpshme për Federatën e Futbollit të Kosovës dhe për shtetin e Kosovës, FFK-ja doli me një njoftim më 24 nëntor. Stadiumi në Prishtinë do të mbyllej dhe fusha e tij do të rinovohej plotësisht.
Vendimi për mbyllje të stadiumit erdhi papritur. Prishtina planifikonte të luante ndeshje në stadiumin “Fadil Vokrri”, por tani duhet të luajë diku tjetër. Ballkani po ashtu është dashur ta luajë në stadiumin në Prishtinë ndeshjen e Ligës së Konferencës. Luajti në Tiranë. Futbollistet e Kosovës është dashur të përballen me Bullgarinë në “Fadil Vokrri”. U përballën në Podujevë, në stadiumin që është plotësisht e paqartë si u pranua për atë ndeshje të seniorëve.
“Licencimi” i stadiumit në Podujevë nuk është paqartësia e vetme. Ende nuk dihet asgjë lidhur me rinovimin e fushës në “Fadil Vokrri”. FFK-ja në atë njoftim të 24 nëntorit ka shkruar se rinovimi do të bëhet me paratë e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
“Federata e Futbollit e Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Sportit do të bëjnë rinovimin e plotë të fushës në këtë stadium, investim ky i cili do të kryhet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Presidenti Agim Ademi dhe ministri Hajrulla Çeku janë dakorduar për ta transformuar tapetin e këtij stadiumi në fushë hibride të nivelit më të lartë, teksa do të fillohet me punë që nga baza e fushës: drenazhimi, sistemi i ri i ujitjes si dhe për herë të parë kjo fushë do të ketë edhe sistemin e ngrohjes. Ky projekt do të sigurojë një fushë moderne, sikur në të gjitha arenat botërore të futbollit, e të cilën e meriton stadiumi ‘Fadil Vokrri’ dhe të cilën e ka kërkuar edhe UEFA”, shkruan në njoftimin e FFK-së.
Nuk është njoftuar për ndonjë marrëveshje mes FFK-së dhe MKRS-së. Nuk është njoftuar as kur do të nisin punët e as kur do të përfundojnë ato. Nuk ka informatë as sa do të kushtojë rregullimi i fushës. Dihet që ato para do të jenë të taksapaguesve të Kosovës, por asgjë më shumë.
MKRS-ja nuk e ka përcjellë njoftimin e FFK-së me ndonjë informatë shtesë. Madje as nuk ka konfirmuar se do ta mbulojë rinovimin e fushës.
KOHA ia ka nisur disa herë pyetje MKRS-së lidhur me këtë temë. Por nuk ka pranuar përgjigje.
Se kur do të jetë stadiumi i gatshëm për ndeshje futbolli, nuk dihet ende. FFK-ja ka përmendur “edicionin e ardhshëm” që i bie vera e vonshme e vitit 2024. Deri atëherë përfaqësuesja e Kosovës do të detyrohet të luajë jashtë vendit. Bëhet fjalë për miqësore të muajit mars e potencialisht edhe në muajin qershor, para Evropianit. Prishtina do të detyrohet të luajë jashtë stadiumit të saj thuajse një edicion garues.
Nëse respektohen të gjitha procedurat, ka gjasë që punët të mos nisin edhe për javë apo muaj të tërë. Fakti që MKRS-ja premton investime në shumë stadiume njëkohësisht, po ashtu mund të ketë ndikim.
Kryesisht me mjete të buxhetit të shtetit ishte bërë rinovimi i plotë i stadiumit të qytetit në Prishtinë, që ka shumë vjet që mban emrin e legjendës “Fadil Vokrri”. Për punët e bëra vazhdimisht ka pasur vërejtje. Për gjendjen e fushës sidomos.