Sport

Prishtina kërkon Kupën në fundin e edicionit shumë sfidues

Klubi i futbollit Prishtina pati shumë sfida gjatë edicionit 2022/2023. Është sfiduar shumë sidomos jashtë fushës. Por nuk i kanë munguar telashet edhe brenda saj.

Një tjetër sfidë të madhe, por garuese, do ta ketë të hënën pasdite. Në finale të Kupës së Kosovës, Prishtina do të përballet me Gjilanin. Ndeshja finale luhet në shtëpinë e Prishtinës, në stadiumin “Fadil Vokrri”. Nis në orën 18:00.

Prishtina i ka fituar shtatë prej dhjetë finaleve të Kupës në të cilat është paraqitur që nga pavarësimi i futbollit kosovar. Së fundi Kupën e ka fituar në vitin 2020.

Ekipi i kaltër është i motivuar për ta fituar për herë të tetë Kupën e Kosovës.

Trajneri Debatik Curri ka thënë se do të ishte sukses i madh për klubin prishtinas.

“Synimin kryesor e kemi pasur triumfin në Kupë, por edhe lufta deri në fund për një vend që na dërgon në gara të Evropës. E kemi parasysh se nuk jemi të licencuar për momentin dhe e di se klubi ka paraparë edhe një ankesë. Por, ne do t'ia bëjmë hyzmetin ta mbajmë trofeun në Prishtinë dhe mendoj se do të ishte një sukses i madh për klubin. Do të ishte sukses shumë i madh nëse e fitojmë kupën, duke pasur parasysh problemet nëpër të cilat kemi kaluar rrugës. Nëse e fitojmë, do të na japë një shtytje të madhe për sezonin e ardhshëm”, ka thënë Curri për KOHËN.

Debatik Curri në krye të shtabit teknik të Prishtinës e zëvendësoi Ismet Munishin e shkarkuar. Suksesi eventual në Kupë do të ishte i veçantë për Currin. Do të ishte i pari si kryetrajner.

Triumfi eventual në Kupë do të duhej t’ia siguronte Prishtinës pjesëmarrjen në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. Por Prishtina është ende pa licencë për gara evropiane. Pasi u refuzua fillimisht, Prishtinës iu kthye negative edhe ankesa drejtuar Federatës së Futbollit të Kosovës. Klubi prishtinas ka paralajmëruar ankesë edhe në Komisionin e Arbitrazhit Sportiv (KAS) të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK).

Në rast se Prishtina ia del ta fitojë Kupën dhe nuk licencohet, atëherë të drejtën për pjesëmarrje në Ligën e Konferencës do ta ketë Dukagjini, që e përfundoi edicionin 2022/2023 të Superligës në vendin e katërt.

Gjilani i pozitës së tretë e ka të sigurt pjesëmarrjen në rundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës, por me triumf në Kupë kalon direkt në rundin e dytë të Ligës së Konferencës.

“Pa marrë parasysh se a del apo nuk del në Evropë, për çdo futbollist dhe për ne që jemi në klub është një arritje nëse fiton një trofe. Pavarësisht se a qëndron apo jo në klub, të rritet vlera me një trofe. Gjithmonë kur fiton një kupë është e arritur për të gjithë”, ka thënë tutje Curri.

Gjilani dhe Prishtina kanë pasur shumë të përbashkëta gjatë edicionit. Të dy klubet në periudha të ndryshme janë përballur me probleme financiare e organizative.

Futbollistët e Prishtinës janë përballur rregullisht me vonesë të pagave. Prishtina ka ende borxhe të pashlyera.

Por motivi për sukses, sipas kapitenit Gledi Mici, nuk mungon.
“Nga dita e parë kemi qenë të bashkuar dhe besoj se grupi është i motivuar për ta fituar këtë finale dhe në fund është mirë për çdo lojtar ta ketë edhe një trofe më shumë, pse jo”, ka thënë Mici.

Ai insiston se futbollistët kanë obligim ta japin maksimumin për t’i arritur synimet.

“Këto janë tema që nuk na takojnë neve, por me aq sa na ka lajmëruar klubi është edhe një mundësi nëpërmjet një ankese në shkallën e tretë që ka gjasa të licencohemi. Ne kemi obligim t'i kryejmë të gjitha ndeshjet dhe ta arrijmë objektivin. Pastaj pjesa tjetër i takon klubit me Federatën dhe shpresoj që gjithçka të përfundojë mirë”, ka theksuar mbrojtësi i majtë.

Prishtina për herë të fundit në garat e Evropës, përkatësisht në Ligën e Konferencës, mori pjesë në edicionin 2021/2022.