Debatik Curri si kryetrajner ka udhëhequr vetëm dy klube deri tani. Prishtinën, me të cilën e fitoi Kupën e Kosovës, dhe Gjilanin, skuadër tek e cila u prezantua javë më parë.
Tekniku 41-vjeçar debutoi në krye të Gjilanit me fitore ndaj Prishtinës së Re në udhëtim, 1:0. Me Currin në krye, Gjilani barazoi në udhëtim te Ballkani 1:1, ndërsa në xhiron e kaluar u mposht në shtëpi nga Dukagjini, 2:0.
Ndeshja e radhës për Currin do të jetë e veçantë.
Ai kthehet në stadiumin “Fadil Vokrri”, vendin ku para dy vjetësh e ngriti trofeun e Kupës së Kosovës dhe ku nisi rrugëtimin e suksesshëm si futbollist. Prishtina në finale kishte triumfuar 2:0 ndaj Gjilanit.
Ndeshja Prishtina – Gjilani i takon xhiros së 12-të të elitës kosovare të futbollit dhe luhet të shtunën nga ora 18:30.
Prishtina është e para me 25 pikë, tri më shumë se Ballkani i vendit të dytë. Tetë pikë është shkëputur nga Dukagjini dhe Drita, që zënë vendin e tretë e të katërt. Ka plot 14 pikë më shumë se Gjilani që zë vendin e parafundit.
“Për mua është motiv shtesë pasi paraqitem ndaj ish-ekipit tim, për të cilin kam luajtur dhe tek i cili jam rritur si futbollist. Është ndeshja ime e parë si kryetrajner kundër Prishtinës. Nuk jam ballafaquar asnjëherë më parë. Shpresoj që të dal me rezultat pozitiv”, ka deklaruar Curri në konferencën për shtyp, të premten.

Curri për shumë vjet ishte asistent i Mirel Josës, Bylbyl Sokolit, Armend Dallkut, Zekirija Ramadanit, Abdulah Ibrakoviqit dhe Ismet Munishit.
Pasi u nda me klubin e kaltër, në tetor të vitit 2023, për pak kohë punoi edhe si asistent i Shpëtim Duros te Suhareka.
Curri tani vlerësohet se e ka përvojën e duhur për ta udhëhequr Gjilanin drejt objektivave që ka në këtë edicion. Ndaj Prishtinës synon fitoren e radhës.
“Statistikat tregojnë që Gjilani luan gjithmonë mirë ndaj Prishtinës. Besoj që motivi nuk do të mungojë. Do të luajmë në një stadium të mirë. Besoj do të ketë edhe tifozë. Nuk ka asnjë aspekt që ne të mos jemi 100 për qind. Do të luajmë ndaj një kundërshtari të fortë që është në krye të tabelës. Pavarësisht që humbi në ndeshjen e fundit, ka pasur një ecuri shumë të mirë në krahasim me ne. Ne duhet ta tregojmë në fushë që vlejmë më shumë se që tregojmë për momentin”, ka thënë Curri, që ka karrierë të pasur edhe si futbollist. Ka 44 paraqitje për Shqipërinë, ndërsa gol ka shënuar edhe ndaj Holandës. Një ndeshje e ka me Kosovën. U pensionua nga futbolli te klubi ku nisi – Prishtina. Ka luajtur edhe për Vorsklan, Gençlerbirligin, Hoverlan, Sevastopolin, Tiranën e Flamurtarin e Vlorës.
Ndeshjen e parë të këtij edicioni mes dy skuadrave e fitoi Gjilani me rezultatin 3:1. Humbjen e fundit nga Prishtina, Gjilani e ka pësuar më 3 shkurt të vitit 2024, në kuadër të Kupës së Kosovës. Ndërkohë në Superligë, Prishtina për herë të fundit ndaj Gjilanit fitoi më 28 tetor të vitit 2023.
Në edicionin aktual, Prishtina ka pasur ecuri shumë të mirë të rezultateve. Pasi e fitoi Kupën e Kosovës me trajnerin malishevas, Prishtina rreshtoi fitoret edhe në Superligë. Pas 11 xhirove, “bardhekaltrit” kanë tetë fitore, një barazim e dy humbje. Njërën humbje ia shkaktoi Gjilani, me Ardian Nuhiun në krye.
“Besoj shumë që për ndeshjen me Gjilanin lojtarët janë rikuperuar mjaftueshëm. Presim një lojë mjaft interesante. Kuptohet, fitorja do të na jepte një mundësi tjetër të vazhdojmë edhe serinë tjetër të fitoreve”, ka thënë trajneri i Prishtinës, Arsim Thaqi për faqen zyrtare të klubit të premten. Ishte skuadra e Llapit që e ndali ecurinë e gjashtë fitoreve rresht të Prishtinës, në xhiron e kaluar.
54-vjeçari Thaqi theksoi se Prishtina synon tani ecuri të re të rezultateve pozitive. Mbështetet edhe në përkrahjen e “Plisave”.
“Jam shumë optimist për këtë ndeshje, në bazë edhe të paraqitjes së lojtarëve në stërvitje. Sido që të jetë, nuk duhet ta harrojmë asnjëherë përkrahjen e tifozëve që e kemi tani në çdo ndeshje, qoftë brenda, qoftë jashtë. Shpresojmë që edhe nesër tifozët t’i bëjmë krenar siç i kemi bërë në ndeshjet tjera dhe kësisoj të vazhdojmë me ritmin e fitoreve siç kemi vazhduar deri sot”.
Të shtunën luhet edhe ndeshja Ballkani – Ferizaj, nga ora 13:00. Ballkani synon fitoren dhe shpreson në gabimin e Prishtinës për t’u afruar në krye të tabelës.
Ndërkohë të dielën, Dukagjini në stadiumin “13 Qershori” në Klinë e pret Malishevën. Prishtina e Re në “Sami Kelmendi” luan ndaj Drenicës, kurse kampionia Drita ballafaqohet me Llapin në terrenin me bar sintetik në Gjilan. Të gjitha ndeshjet tjera luhen nga ora 13:00.